
Profesori Milazim Krasniqi ka kritikuar takimin e kryeministrit Albin Kurti me Luir Abdixhikun dhe Ramush Haradinajn.
Krasniqi u shpreh se për takimin që ka ftuar sot, Kurti nuk ka asgjë të rëndësishme për të kumtuar a biseduar, sepse problemi i letërnjoftimeve është një problem administrativ-teknik.
Profesori tha se prapavija e kësaj ftese mund të jetë ‘Zajednica’, raporton “Veriu.info”.
Postimi i plotë
Praktika e kryeministrit Kurti që ta ftojë opozitën në një lloj bisede informative, si kur është ngusht, ashtu edhe kur ndihet komod, është praktikë jodemokratike. Harmonizimet e qëndrimeve për çështje të rëndësishme shtetërore me opozitën, bëhen në Kuvend e jo në takime joformale të stilit të bajraktarëve.
Nga ana tjetër, për takimin që ka ftuar sot, Kurti nuk ka asgjë të rëndësishme për të kumtuar a biseduar, sepse problemi i letërnjoftimeve është një problem administrativ-teknik. Mund të jetë që në prapavijë të kësaj ftese është përgatitja e klimës për asociacionin (“Zajednicën”) por nëse është ashtu, ajo duhet të thuhet qartë e jo të maskohet.
Opozita, në çdo rast, duhet të jetë korrektuese e qeverisë, jo patericë e qeverisë. Prandaj, opozita nuk ka pse lidhet pas qerres së qeverisë, sa herë i ngecë qerrja në baltë. Qeveria duhet ta shtyjë vetë përpara qerren e vet. Mjafton që opozita të mos i vejë shkopinj nën rrota. (Sa për ilustrim: në Serbi Vuçiqi (qeveria) nuk konsultohet fare me opozitën për të njëjtën temë. Është përgjegjësi direkte e tij dhe e qeverisë serbe.)/Veriu.info












