U nis për pushime në Bullgari së bashku me familjen e tij, por kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, më 19 shkurt 2024 përfundoi në prangat e autoriteteve bullgare pasi ndaj tij kishte një urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet italiane nën dyshimin e veprës penale trafikim me qenie njerëzore.
Krasniqi ka një rrugëtim politik që ndërlidhet me shefen aktuale të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusarin, e cila është kryetare e partisë politike “Alternativa”, shkruan Gazeta Online Veriu.info.
Gazeta Online Veriu.info mëson nga burimet e saj se përveç lidhjes politike, Mimoza Kusari dhe kryeshefi Hasan Krasniqi tashmë i burgosur, kanë edhe lidhje familjare.
Gazeta ka kontaktuar shefen e deputetëve të Vetëvendosjes për ta pyetur rreth kësaj çështje, por e njëjta ka mohuar se e ka familjar.
“Jo nuk është familjar i imi. Nuk kam lobuar për të, procedurat për të janë publike më shumë se një vit, nuk kom cka shtoj më shumë” – ka thënë Mimoza Kusari për Gazetën Online Veriu.info.
Hasan Krasniqi ishte pjesë e listës së kandidatëve për asamble komunale në Gjakovë nga radhët e partisë së Mimoza Kusarit, Alternativës, në zgjedhjet lokale të vitit 2017.

Hasan Krasniqi më herët, saktësisht në vitin 2016, bashkë e disa anëtarë tjerë kishin dhënë dorëheqje nga AKR për t’i dhënë mbështetje iniciativës politike që atë kohë e krijoi e para e Gjakovës, Mimoza Kusari, pasi edhe kjo e fundit kishte vendosur të largohej nga partia e drejtuar nga Behgjet Pacolli.
Krasniqi bashkë me persona tjerë ishin larguar nga grupi i asamblistëve të AKR-së, për t’i dhënë mbështetje Mimoza Kusarit, që ishte kryetare e komunës.
Mimoza Kusari humbi komunën e Gjakovës në vitin 2017, pikërisht kur në këtë listë ishte edhe kryeshefi aktual i KRU “Gjakova” Hasan Krasniqi.
Hasan Krasniqit i është caktuar masa e paraburgimit nga autoritetet bullgare deri në vendosjen rreth kërkesës së autoriteteve italiane për ekstradimin e tij në Itali.
Dyshimet janë se Krasniqi, që ka në pronësi edhe një kompani transporti udhëtarësh me autobus nga Gjakova drejt vendeve të Evropës, dyshohet se përmes saj ka kontrabanduar njerëz me dokumente të falsifikuara. Rrjedhimisht, sipas autoriteteve italiane, 57 vjeçari nga Gjakova është i implikuar në tri vepra të ndryshme penale.
Italia urdhër-arrestin ndaj Krasniqit e kishte lëshuar një muaj më herët, me 16 janar 2024












