Ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka deklaruar se punimet në autostradën e Gjilanit kanë arritur në afro 80%.
Duke iu përgjigjur pyetjes parlamentare të Hykmete Bajramit, Basha bëri të ditur se Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar me shkrim operatorët ekonomikë të katër loteve për shkëputjen e kontratave, për shkak të mosrealizimit të detyrimeve kontraktuale.
Sipas ministrit, arsyet kryesore për këtë vendim janë mospërmbushja e detyrimeve kontraktuale, mosrealizimi i punimeve sipas projektit dhe kushteve të terrenit, vonesat në ekzekutimin e punimeve, si dhe mungesa e laboratorit përkatës.
Basha prezantoi edhe shpenzimet e deritanishme sipas loteve.
Sipas tij, shuma totale e mjeteve të shpenzuara deri më tani arrin në rreth 78.5 milionë euro.
Basha tha se, pas marrjes së detyrës, është angazhuar personalisht për adresimin e problemeve që lidhen me këtë projekt dhe se tashmë është përgatitur një dosje e plotë që do të shërbejë si bazë për hapat e mëtejmë.
Ai njoftoi se Ministria do të angazhojë një kompani profesionale, e cila do të ketë për detyrë riprojektimin dhe përgatitjen e dokumentacionit të ri të tenderit, si dhe vlerësimin e saktësisë dhe cilësisë së punimeve të realizuara deri më tani.
Megjithatë, ministri Basha nuk dha një datë të saktë mbi përfundimin e punimeve në këtë autostradë dhe lëshimin e saj për qarkullim.


















