Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka kërkuar një sqarim nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, e cila në një postim në Twitter e ka futur në një rresht Manastirin e Deçanit dhe monumentet e shkatërruara nga agresioni rus në Ukrainë.
Ai tha se ajo mund ta ketë bërë nga ngutia apo mospasja e informatave të sakta, megjithatë Çeku tha se Cramon duhet të japë një sqarim.
“Ne e kemi parë një publikim nga Viola von Cramon në një takim të saj me zyrtarët e Europa Nostra. Më twitt-in e publikuar të zonjës von Cramon, Manastiri i Deçanit dhe monumentet e shkatërruara nga agresioni rus në Ukrainë futen në një fjali. Ne duam të besojmë se ajo e ka bërë këtë gabim paqëllimshëm, që nuk i ka informatat e sakta dhe që e ka bërë në një mënyrë të ngutshme. Megjithatë ajo duhet të na ofrojë një sqarim për këtë gabim që e ka bërë. E kemi një pyetje për të. A ka tërhequr ndonjë paralele në mes neve dhe Rusisë kur në të njëjtën fjali i ka përfshirë Manastirin e Deçanit dhe monumentet e shkatërruara nga agresioni rus në Ukrainë. Besojmë që e meritojmë një sqarim dhe duhet ta sqarojë a mendon dhe a tërheq paralele mes Kosovës dhe Rusisë në momentin kur këto monumente i fut në të njëjtën fjali”, tha Çeku në konferencë.
Çeku foli edhe për organizatën Europa Nostra, për të cilën tha se nuk është kredibile dhe se është e ndikuar politikisht nga Serbia.
“Për ne kjo vizitë vazhdon të jetë e pakuptimtë, e vonuar dhe pa asnjë efekt. Organizata Europa Nostra ka humbur kredibilitetin pasi që i është nënshtruar ndikimit politik të shtetit serb. Në të njëjtën kohë ne kemi konstatuar edhe një hipokrizi të Europa Nostras, sepse vitin e kaluar e ka përfshirë Manastirin e Deçanit pa të drejtë dhe me ndikim politik nga Serbia në listën e shtatë monumenteve më të rrezikuara, ndërsa vitin e kaluar një organizatë e trashëgimisë kulturore e Kosovës, CHVB, ka dërguar një nominim tjetër për këtë listë, ka qenë Kalaja e Novobërdës e nominuar, e dini rastin e saj dhe shkatërrimet që janë bërë në të, por përkundër të gjitha konstatimeve që kompania e Serbisë e angazhuar për punime në Kalanë e Novobërdës ka shkaktuar dëme të pariparueshme në integritetin e kësaj kalaje, Europa Nostra e ka refuzuar nominimin e saj dhe s’e ka futur në listën e shtatë monumenteve më të rrezikuara”.












