Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj gjatë ditës së sotme ka vizituar familjen e dëshmorit Gëzim Rama nga fshati Kollë i Vushtrrisë.
Ai çmoi lart luftën e sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të bërë 24 vite më parë, shkruan “Mitropol”.
“Gëzim Rama i cili ishte kuptimi më i mirë i asaj që do të thotë të jesh ushtar i lirisë”, tha Mehaj.
Tutje ai shtoi se lufta çlirimtare është dëshmi e fuqishme që vendi ynë nuk mund të preket, nuk mund të tjetërsohet dhe që pushtuesit këtu nuk kanë vend.
Postimi i plotë:
Vizitë në familjen e dëshmorit Gëzim Rama nga fshati Kollë i Vushtrrisë.
Që nga viti 1999 janë bërë 24 vjet nga lufta e popullit tonë për liri. Para 24 vitesh ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare bënë sakrificën e fundit duke luftuar për të mbrojtur Kosovën. Ata iu përgjigjen thirrjes dhe detyrës ndaj atdheut, duke vënë jetën e tyre në mbrojtje tokës së cilës i rriti dhe në të cilin ishin autokton me shekuj. Njëri nga ushtarët e UÇK-së që ishte simbol i guximit, vendosmërisë dhe vetëmohimit, ishte Gëzim Rama i cili ishte kuptimi më i mirë i asaj që do të thotë të jesh ushtar i lirisë.
Lufta çlirimtare është dëshmi e fuqishme që vendi ynë nuk mund të preket, nuk mund të tjetërsohet dhe që pushtuesit këtu nuk kanë vend. Luftetarët sikur Gëzim Rama të cilët luftuan herokisht deri në rënien e tyre, do të mbesin përjetësisht gjurmë të pashlyera në historinë e kombit shqiptar.
Derisa reflektojmë mbi sakrificën e tyre për të mbrojtur popullin e pafajshëm, na kujtohet borxhi i përjetshëm që ua kemi dëshmorëve tanë të cilët nën uniformën e UÇK-së çliruan vendin. Gatishmëria e tyre për tu flijuar për atdhe është ajo që na bëri të jetojmë në liri, dhe ne do të jemi gjithmonë mirënjohës për veprën e tyre.
Lavdi!













