Zhurma e madhe që ka shpërthyer rreth kompozitorit Adrian Hila dhe disa emrave të njohur të ekranit po ushqehet prej orësh nga kureshtja e zakonshme e rrjeteve sociale, ku pamjet po qarkullojnë dorë më dorë në kanale private. Por përtej etjes për thashetheme, thelbi i kësaj historie fsheh një problem shumë më të madh. Kush i regjistroi këto video dhe si dolën ato në publik?
I pari që ndezi fitilin publikisht ishte Elton Tozaj. Ai pretendoi se bëhet fjalë për filmime të realizuara në një studio muzikore, përmes kamerave të fshehta dhe pa dijeninë e njerëzve që shfaqen aty. Gjithsesi, deri në këto momente askush nuk ka një përgjje të saktë. Nuk dihet se ç’pajisje është përdorur, dora që ka xhiruar dhe as rruga që është ndjekur për të marrë videot dhe për t’i çuar deri te personat që i shpërndanë.
Pikërisht te kjo mungesë të dhënash nis edhe enigma, e cila të çon natyrshëm drejt tre skenarëve të mundshëm.
Filmimet i bëri vetë kompozitori?
Një mundësi është që materialet të jenë regjistruar nga vetë Hila dhe më pas dikush t’i ketë shtënë në dorë nga materialet e tij private. Por këtu lind pyetja se kush mund të ketë pasur qasje te pajisjet e tij personale? A ka ndërhyrë dikush fizikisht në kompjuterin apo telefonin e tij apo ka pasur ndërhyrje kibernetike në distancë? Në këtë variant, vetëm vetë producenti mund t’i sqarojë rrethanat.
Një kamerë e fshehtë e instaluar nga dikush tjetër?
Ky është padyshim skenari më shqetësues. Nëse regjistrimet nuk janë bërë nga aparatet e kompozitorit, i bie që dikush tjetër të ketë futur fshehurazi një kamera brenda studios. Ky rast është shetësues, pasi filmimet mund të jenë bërë për t’u përdorur për shantazh ose për të goditur reputacionin e personave të përfshirë. Në pamje të parë, videot duken të xhiruara nga i njëjti kënd. Por kjo e dhënë nuk provon nëse kamera është vënë nga vetë kompozitori apo nga persona të tjerë.
Hakerim i sistemit të sigurisë?
Nuk përjashtohet as varianti që filmimet të jenë bërë nga kamera sigurie që kompozitori mund të ketë vënë në studio. Shumë studio apo biznese janë të pajisura me kamera sigurie dhe i mbajnë ndezur ato 24/7 për çështje sigurie. Këto kamera janë shpesh të lidhura me servera online ose aplikacione celulari. Dihet tashmë se sistemet me mbrojtje bazike janë lehtësisht të thyeshme nga hakerat. Nëse pamjet burojnë prej andej, ekspertët e teknologjisë mund ta konfirmojnë shumë shpejt përmes log-eve dhe formatit të regjistrimit.
Deri më tani, e gjithë kjo ngjarje po zien pothuajse ekskluzivisht në botën virtuale. Tozaj pretendon se ka në dorë edhe materiale të tjera dhe paralajmëron publikime të reja, ndërkohë që mediat kryesore po e trajtojnë rastin me rezerva.
Nga ana tjetër, bie në sy një heshtje totale e personave të përfshirë, të cilët mund t’u jepnin përgjigje pyetjeve të mësipërme. As vetë Adrian Hila dhe as personazhet e tjerë që shfaqen në video nuk kanë thënë asnjë fjalë për të sqaruar ose përgënjeshtruar pretendimet.
Dhe për sa kohë kjo heshtje vazhdon, tre pyetjet thelbësore mbeten pa përgjigje. Kush i regjistroi videot, cili ishte qëllimi i regjistrimeve dhe si përfunduan ato në duart e personave që i shpërndanë fillimisht?/ Zoom.al













