Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se LDK është fajtore për rritjen e çmimeve, pasi është ankuar në Gjykatën Kushtetuese për çmimin tavan.
Lidhur me këtë, për Gazeta Blic, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, thotë se VV po qeverisë prej dy vitesh me ankesa dhe se Ligji që është dërguar në Kushtetuese është në kundërshtim me Kushtetutën.
“Dy vite qeverisje me ankesa. Sot, Murati qenka anku se si LDK s’po e lejon me e shkelë Kushtetutën! Ligji për çmimet tavan nuk e adreson çështjen e inflacionit as atë të spekulimit me çmime, Ligjin të cilin LDK e ka ataku në Gjykatë Kushtetuese është në kundërshtim me Kushtetutën, respektivisht nenin 10 të saj. Ligji si i tillë do të mbyllte me mijëra biznese familjare në fshatra dhe lagje periferike duke krijuar situatë edhe më të favorshme për tregtarët e mëdhenj”, thotë ajo.
Deputetja thekson se vendi i ka të gjithë mekanizmat për të marrë masa kur dëshmohet se dikush po spekulon me pozitën dominuese në treg apo po spekulon me çmime, por që Qeveria duhet të nisë punën dhe t’i vë në funksion këta mekanizma.
“Ky vend e ka Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, ka Inspektorat të Tregut dhe i ka krejt mekanizmat e nevojshëm për të marrë masa sa herë që dëshmohet se dikush po spekulon me pozitën dominuese në treg apo po spekulon me çmime. Krejt çka i duhet kësaj Qeverise është që pas dy viteve pushim me fillu me punu, që këto mekanizma me i shti në funksion dhe me i implementu ligjet që janë në fuqi”, vlerëson Bajrami për Gazeta Blic.
Po ashtu, sipas saj, Qeveria duhet të dalë në terren e të bisedojë me biznese përtej oborrit të tyre dhe ta kryejë punën sipas mandatit që ka marrë.
“Qeveria, gjithashtu duhet me dalë në teren e të bisedojë me biznese përtej oborrit të tyre, me pa si ka ndiku ngritja e çmimit të rrymës, me i pyet për politika të nevojshme fiskale, me i pyet për kostot e operimit të tyre dhe se si mund të ju ndihmohet atyre për ta përballuar këtë situatë për të ulë kostot dhe çmimet, shkurt Qeveria duhet me e kry punën sipas mandatit të dhënë. Mjaft me ankesa”, deklaron deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami./Gazeta Blic/













