Më 13 tetor, në Bruksel, pritet të trajtohet për liberalizimin e vizave për Kosovën, pikërisht për këtë kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, vlerësoi se do të ishte lajm i mirë sikur të liberalizoheshin vizat, ndonëse nuk mund të parashikonte se do të ndodhë vërtetë deri në fund të këtij viti.
Sipas tij, kjo qasje e BE-së ndaj Kosovës ka qenë e padrejtë dhe e padenjë, derisa shtoi se vendimi për këtë e merr Këshilli i Ministrave të BE-së e jo Grupi Punues, ndonëse ka rëndësinë edhe grupi.
“Frika jonë është se do të kushtëzohet me procesin e dialogut, që do të ishte padrejtësi e re ndaj Kosovës, ngase sikurse në të kaluarën edhe tani, pavarësisht lëvizjeve përpara, duket se ka kushtëzime të reja”, shkroi në Facebook Molliqaj.
Ai këtë gjykim të tij e konkretizoi me deklaratën e ministrit të Jashtëm çek, i cili ishte për vizitë zyrtare ditë më parë në Kosovë e që nuk qe në gjendje të deklaronte datën se kur do të mund të arrihej kjo.
Tutje ai tha se e gjithë kjo rrugë e përshkuar deri më tani, liberalizimi i vizave ka qenë e vetmja karotë e premtuar nga BE, ndërkohë që kanë ndërlidhur me shumë çështje tjera si kushtëzim, të cilën e vlerëson si gabim.
“Them se sërish mund ta prolongojë Kosovën në rrugëtimin drejt BE-së me obligime të reja, të cilat janë jashtë proceseve të zakonshme, duke na shkaktuar një kosto të re, të cilën nuk e ka paguar kush tjetër, veç Kosovës”, theksoi, mes tjerash, Molliqaj.
Molliqaj, veç tjerash, përmendi “kornizat e marrëveshjes”, që, siç tha ai, në ato korniza nuk flitet më për njohjen reciproke, por për normalizimin e marrëdhënieve të të dyja vendeve.
Këtë ide, Molliqaj e argumentoi me letrat e dërguar institucioneve të Kosovës e të Serbisë nga këshilltarët e Macron-it dhe Sholz-it.
“Dy shtete që njohin Republikën e Kosovës, në këtë rast Franca dhe Gjermania, luajnë rolin asnjanës ndaj procesit të dialogut”, deklaroi Molliqaj.
Sipas tij, korniza e dialogut mund të shihet në këto dy letra.
Tutje, Molliqaj vlerësoi se dialogu do të përfundojë pa njohje, pa ulëse në OKB, teksa shtoi se qasja e kryeministrit ndaj dialogut është e gabuar, duke përmendur çështjen e Asociacionit.
“Për bindjen tonë, gjasat janë që dialogu të përfundojë pa njohje, pa ulëse në OKB, pa njohjen e pesë vendeve siç pritej, por me liberalizim te vizave dhe me pjesëmarrjen në tregun rajonal, qoftë ai ‘Ballkani i Hapur’, qoftë ‘Procesi i Berlinit, ku, në fakt, është e njëjta gjë, vetëm se në njërën ftohen vetë, në tjetrën i fton Berlini”, theksoi Molliqaj.
Ndërsa lidhur me çështjen e reciprocitetit, Molliqaj theksoi se është kundër këtyre marrëveshjeve, siç i quan ai, parciale. Ai është shprehur për marrëveshje politike në mes të Kosovës e Serbisë, ku, sipas tij, do të zgjidheshin të gjitha çështjet tjera, qoftë ajo për targat, qoftë lëvizja e lirë, etj.












