Kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për dënimin e ish kryetarit Shpend Ahmeti.
Molliqaj përmes një reagimi në Facebook ka thënë se aktvizimi nuk mund të devijohet nga lakmitë e përfitimet personale.
Sipas Molliqajt, Ahmeti duhet t’i paguaj vetë veprat e tij.
“Mirëpresim çdo gjykim e denim të merituar, të secilit e çdokujt që pozitën e pushtetin që buron nga ajo, nga besimi i qytetarëve e keqpërdorë për përfitime e interes personal. Dy dekada besnikëri e aktivizëm nuk mund të devijohen nga lakmitë personale e përfitimet përsëri vetëm personale. Gjykimit institucional edhe mund t’i bëhet bisht, disi, nga ndokush. Por kërkesës për të vërtetën, që ka si procedurë angazhimin politik, nuk i del ballë asnjë. Rroftë aktivizmi, poshtë oportunizmi”, ka shkruar Molliqaj.
Ahmeti është dënuar me 2 vite burgim për shkak se është shpallur fajtor për veprën penale mosdeklarim apo deklarim i rremë i pasurisë.
Ai akuzohej nga Prokuroria Speciale se nuk kishte deklaruar rreth 172 mijë euro gjatë kohës që ushtronte funksionin e kryetarit të Komunës së Prishtinës.











