Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka bërë thirrje për protestë kundër Qeverisë Kurti dhe Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, raporton Paparaci.
Ai iu drejtua qytetarëve dhe aktivistëve të cilët sipas tij, kanë mbushur sheshet me protesta dhe bllokime kundër Asociacionit, e që besuan se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk e zbaton apo formon Asociacionin.
Sipas Molliqajt, “ora kritike po vjen, marrëveshja që na pret në Bruksel është pa njohje dhe me Asociacion në qendër; aty është orari dhe mënyra e zbatimit”.
“Askush nuk ka mandat për Asociacionin. Rezistenca ishte shoqërore. Nuk jemi angazhuar për t’i ndërruar fytyrat që e zbatojnë Asociacionin. Nese ka ndodhur që pushteti është tjetërsuar aq pakthyeshëm, atëherë zgjedhje ose referendum. Përndryshe, protesta në rrugë. Kundër Qeverisë sepse kundër Asociacionit”, shkroi ai në Facebook.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq aktualisht janë në Bruksel, për të diskutuar rreth propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve.
Pas pak, pritet një takim i përbashkët mes zyrtarëve evropianë dhe liderëve të të dyja shteteve.











