Këshilli i Evropës së shpejti mund të bëhet me një anëtare të re, Kosovën, pasi më nuk e ka Rusinë për ta kundërshtuar, shkruan e përditshmja gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung.
FAZ thotë se me përjashtimin e Rusisë, Kosovës i janë hapur dyert që me një mazhorancë prej dy-të-tretave të bëhet anëtare e KE-së.
Duke cituar informacione nga Kosova, thuhet se qeveria pritet që të nis aplikimin për anëtarësin pas zgjedhjeve në Francë, sipas gjasave në Maj.
“Kjo do t’i hapte mundësinë që Kosova të pranohet në 2023-tën”.
“Fushata e suksesshme e Beogradit që të ndalojë [Kosovën] në asociacionin më të vjetër të demokracive evropiane duket shumë më pak premtuese”, shkruar FAZ.
Ndryshe nga Kombet e Bashkuara, ku Rusia mund të vendos veto-n e saj në Këshill të Sigurisë, në KE duhen dy-të-tretat për t’u pranuar, rikujton gazeta gjermane.
Pas përjashtimit të Rusisë, Këshilli i Evropës ka ende 46 anëtarë. Nga këto, 34 e njohin pavarësinë e Kosovës – më shumë se dy të tretat e nevojshme.
Shumicë numrash për anëtarësimin e Kosovës kishte edhe kur Rusia ishte ende anëtare e Këshillit të Evropës, por çështjet politike ishin ndryshe.
Rusia kishte delegacionin më të madh në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (18 anëtarë) dhe loboi intensivisht kundër çdo përpjekjeje të Kosovës.
Ndërkohë, Gjermania, me dymbëdhjetë deputetë, është grupi më i madh në parlament që takohet çdo tremujor në Strasburg, dhe delegacioni gjerman ka mbështetje ndërpartiake për planet e Kosovës, sipas FAZ-së.
Ata citojnë më tej një deklaratë të deputetit të Bundestagut Frank Schwabe (SPD), i cili drejton një fraksion të përbashkët të socialistëve, demokratëve dhe të gjelbërve në Asamblenë Parlamentare, i cili propozoi masën në mars.
Duhet ta afrojmë Kosovën me Evropën. Një mënyrë e mirë për ta bërë këtë do të ishte anëtarësimi në Këshillin e Evropës, kishte thënë Schwabe.
Diçka të ngjashme ka krijuar edhe ish-diplomati Knut Abraham (CDU), i cili ka përvojë me Ballkanin dhe është anëtar i Komisionit të Jashtëm të Bundestagut dhe Asamblesë Parlamentare, siç raporton FAZ.
“Duke pasur parasysh luftën në Ukrainë, tani është jashtëzakonisht e rëndësishme të dërgojmë një sinjal të qartë se ne nuk tolerojmë asnjë ndryshim kufijsh përmes dhunës dhe se pakicat dhe të drejtat e njeriut duhet të mbrohen. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte hapi i duhur”, tha Abrahami.













