Ministria e Punëve të Brendshme ka lëshuar një njoftim zyrtar për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke bërë të ditur se nga sot, 10 prill 2026, sistemi i ri i Bashkimit Evropian për Hyrje/Daljet (EES) ka hyrë në fuqi me kapacitet të plotë në të gjitha pikat kufitare të Zonës Schengen, shkruan Insajderi.
Ky sistem, i cili nisi zbatimin gradual në tetor të vitit të kaluar, shënon një epokë të re të kontrollit kufitar, duke eliminuar përfundimisht metodat e vjetra të verifikimit.
Njoftimi i plotë:
Ministria e Punëve të Brendshme njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se Sistemi i Hyrje/Daljes (Entry/Exit System – EES) i Bashkimit Evropian nga sot (10 prill 2026) do të zbatohet plotësisht në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Zonës Schengen.
Siç kemi njoftuar më parë, ky sistem ka filluar të zbatohet gradualisht nga 12 tetor 2025 deri në arritjen e zbatimit të plotë.
Sistemi EES është një sistem i automatizuar dhe biometrik që regjistron hyrjet dhe daljet e shtetasve të vendeve jo-anëtare të BE-së, përmes mbledhjes së të dhënave si:
gjurmët e gishtërinjve;
fotografia e fytyrës;
të dhënat e dokumentit të udhëtimit.
Nga 10 prilli 2026, ky sistem zëvendëson plotësisht vulosjen manuale të pasaportave dhe mundëson identifikimin automatik të qëndrimeve të tejkaluara.
Qytetarët e Republikës së Kosovës mund të udhëtojnë pa vizë në Zonën Schengen për qëndrime afatshkurtra (deri në 90 ditë brenda çdo periudhe 180-ditore), duke plotësuar këto kushte:
Të posedojnë pasaportë biometrike valide (e vlefshme të paktën 3 muaj pas datës së kthimit);
Të justifikojnë qëllimin e udhëtimit (turizëm, vizitë familjare, biznes, etj.);
Të kenë dëshmi të mjeteve të mjaftueshme financiare për qëndrimin;
Të kenë biletë kthimi ose dëshmi për vazhdimin e udhëtimit;
Të mos jenë në listat e ndalimit të hyrjes në Schengen.
Ministria e Punëve të Brendshme do të vazhdojë të informojë qytetarët për çdo zhvillim të mëtejmë lidhur me këtë sistem.















