Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Muhamet Hamiti, ka bërë thirrje që Kuvendi i jashtëzakonshëm i partisë, i caktuar për 30 korrik, të zhvillohet në frymë demokratike dhe të shërbejë si pikënisje për rimëkëmbjen e LDK-së.
Hamiti thekson se LDK-ja ka qenë më e fortë kur ka mishëruar vlerat vendëse në harmoni me ato perëndimore dhe kur është udhëhequr nga presidenti historik, Ibrahim Rugova.
“LDK-ja ka qenë më e forta kur ka mishëruar vlerat vendëse, në harmoni me vlerat perëndimore, si parti e qendrës së djathtë. Ka qenë prijatare kur e ka drejtuar Presidenti Ibrahim Rugova me besim dhe përkushtim të palëkundur në vizionin e vet dhe të qytetarëve të vendit tonë për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës”, shkruan ai.
Hamiti vlerëson se pas vdekjes së Rugovës dhe përçarjeve të brendshme, LDK-ja ka humbur mbështetjen elektorale, duke përfunduar si forca e tretë në katër palë zgjedhjet e fundit parlamentare.
Sipas tij, kjo ka ardhur si pasojë e mosmarrëveshjeve të brendshme dhe luftës për pushtet.
“LDK-ja ka rënë e treta në katër palë zgjedhjet e fundit nacionale, pas mosmarrëveshjesh të brendshme dhe lufte për pushtet, kur, për çudi, elemente të saj u rreshtuan me Vetëvendosjen rivale, pasojat e së cilës po i vuajnë LDK-ja dhe Kosova”, ka shkruar ai.
Hamiti e cilëson rimëkëmbjen e LDK-së si një çështje me rëndësi jo vetëm për partinë, por edhe për skenën politike dhe kulturën demokratike në Kosovë.
“Rimëkëmbja e LDK-së sot është çështje me interes jetik jo vetëm për LDK-në, por edhe për skenën politike dhe për kulturën demokratike të Kosovës”, thekson ai.
Në prag të Kuvendit të jashtëzakonshëm, ai kërkon debat të hapur dhe zgjedhje të reja në të gjitha nivelet e partisë.
“LDK-ja duhet të kuvendojë në frymë demokratike, me kulturë dialogu dhe ballafaqimi idesh, për mënyrën se si të rimëkëmbet partia”, shkruan Hamiti.
Ai shton se “duhen zgjedhje të reja tash, në të gjitha nivelet, pas të cilave lidershipi i ri që e merr besimin dhe përkrahjen e anëtarësisë, punon me ngulm për ta rimëkëmbur LDK-në, me synimin për ta kthyer parti të parë në vend”.
Sipas Hamitit, vetëm një proces i tillë mund ta rikthejë LDK-në në pozitën që kishte dikur dhe ta orientojë Kosovën drejt zhvillimit dhe integrimit euroatlantik.











