Opozita e pushteti do t’i masin forcat në seancë për projektligjin për Trustin.
Ai nuk kaloi në Komisionin për Buxhet, të mërkurën, pasi votat qenë të barabarta, nga pesë pro e kundër, teksa Duda Balje abstenoi në emër të pakicave joserbe.
Nismëtari, Bekim Haxhiu nga PDK-ja, tha se tërheqja 30% nga kursimet pensionale i ndihmon të punësuarit, kurse pjesa tjetër i mbetet qeverisë.
“Ideja është që Trusti t’iu ndihmojë personave që kanë marrëdhënie pune, që kanë kursime në Trust, kurse buxheti i shtetit të koncentrohet te kategoritë e rrezikuara, të papunët, gratë, studentët e pensionistët”, tha Haxhiu.
Opozita po e akuzon qeverinë që nuk ka ofruar alternativë tjetër kur e ka kundërshtuar nismën.
Ish-kryeministri Avdullah Hoti, në kohën e së cilit u tërhoqën nga 10% të Trustit, thotë se kjo do ta lehtësonte ballafaqimin e qytetarëve me krizën ekonomike, pasi norma e inflacionit për shportën bazë tashmë ka shkuar në 50%.
Por kësaj teme i qaset krejt ndryshe Lëvizja Vetëvendosje. Armend Muja argumentoi se me këtë ndihmohen vetëm shtresat e pasura, teksa praktika të tilla nuk ka askund.
“10% i tërheq Avdullah Hoti, 30% Bekim Haxhiu, 60% Hajdari vitin e ardhshëm, dhe shkatërrohet skema pensionale. Për këtë arsye do ta kundërshtoj fuqishëm, jo vetëm këtu por edhe në kuvend”, deklaroi Muja në komision.
Kurse Pal Lekaj i Alenacës po u kërkon kolegëve t’i kenë parasysh qytetarët kur e ngritin dorën.
“Duhet të tejkaloni inatet dhe të vendosni në të mirën e qytetarëve”, u shpreh ai.
Pavarësisht rekomandimit negativ nga komisioni, projektligji do të shkojë në Kuvend në seancat e radhës, teksa për të kaluar duhet vota pro e shumicës së thjeshtë.













