Infografika që publikoi mbrëmë Ministri i Financave, Hekuran Murati, për deficitin buxhetor, përmes së cilës u lavdërua e goditi opozitën, po interpretohet ndryshe nga opozita. Ekonomisti që tash është pjesë e LDK’së, Berat Rukiqi, thotë se taksat që kanë paguar qytetarët e bizneset duhet t’i kthehen ekonomisë, e jo të përdoren nga Qeveria veç sa për statistika. Sipas tij, suficiti buxhetor nuk është për t’u lavdëruar, sepse tregon paaftësinë e Qeverisë për të realizuar investime kapitale.
Ministri Hekuran Murati ka publikuar mbrëmë një infografikë, ku janë paraqitur të dhëna për deficitin buxhetor në pesë vjetët e fundit. Është lavdëruar duke thënë se deficiti buxhetor është zvogëluar në rekord që ai e ka quajtur “historik”. Krahasimin e ka bërë me vitin 2020, që ka qenë vit i pandemisë.
Murati u kujdes që ta godiste edhe opozitën në këtë postim, duke thënë se “thesi i shqyer është qepur” dhe se financat publike janë kthyer në binarë.
“Financat publike janë kthyer në binarë dhe thesi i shqyer është qepur. Jemi kujdesur që të mos shkaktojmë barrë të paqëndrueshme financiare e të mos rrisim borxhin publik, përkundër faktit që kishim pakot mbështetëse më voluminoze në rajon”, shkroi Murati.
Infografikën e pubikuar nga Murati po e interpreton ndryshe njohësi i ekonomisë, Berat Rukiqi, i cili së fundi është bërë pjesë e LDK’së.
Rukiqi i ka thënë Gazetës Express se këto të dhëna janë reflektim i paaftësisë së Qeverisë që të implementojë projekte kapitale.
“…është rregull e përgjithshme e njohur edhe ndërkombëtarisht dhe nga rregullat fiskale të Fondit Monetar Ndërkombëtar por edhe vendet tjera, që deri në vlerën 3 përqind të GDP, një vendi edhe i lejohet me qenë në deficit buxhetor, e në situata tjera mund të jetë edhe deficit më i thellë buxhetor. Suficiti buxhetor nuk është për t’u lavdëruar, sepse tregon paaftësinë e Qeverisë për me realizu investime kapitale”.
Deklaratat e Ministrit, ai i ka quajtur “broçkulla financiare”. Sipas tij, Kosova ka pasur vazhdimisht disiplinë të mirë fiskale.
“Tash Ministri do të vazhdojë del të na flas broçkulla të tilla financiare, pasi që realisht krejt çka ka ba, po flas si Qeveri tash se s’po e kufizoj vetëm si Ministri e Financave, është një mosefikasitet i lartë në investime, realisht i ka ndalu shumë investime, shumë tjera nuk po nisin, nuk po shohim asnjë projekt të rëndësishëm për ekonominë e vendit dhe vendet të cilat realisht kanë nevoja të mëdha ekonomike siç ka Kosova për infrastrukturë, për përkrahje të bizneseve, për përkrahje të sektorëve të caktum, për shëndetësinë, për edukimin, nuk mund të lavdërohen nëse kanë një deficit shumë të ulët buxhetor, i cili realisht i tillë ka qenë. Ne nuk është që e kemi tejkalu najherë këtë rregullin 3 përqind të GDP’së. Kosova ka pasur një disiplinë të mirë fiskale, përveç vitit të pandemisë, kur është dashtë me shpenzu më shumë me ato pakot që kanë qenë, por Kosova ka pas disiplinë të mirë fiskale vazhdimisht dhe për këtë ka raporte të FMN’së”, thotë Rukiqi.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës thotë se taksat që i kanë paguar qytetarët e bizneset duhet t’i kthehen ekonomisë, e jo të mbahen nga Qeveria sa për të treguar statistika.
Ai vlerëson se Qeveria po keqmenaxhon me paranë publike, meqë një pjesë të madhe s’po e shpenzojnë fare.
“Nuk është që këta po e shpenzojnë paranë publike më mirë, se ai po e merr atë metaforën e thesit me tregu që përpara ka pas derdhje të parasë, shpenzime, sigurisht që ka pas. Por, nuk është që këta po i shpenzojnë paratë publike më mirë, por realisht një pjesë të madhe të parasë publike ata s’po e shpenzojnë fare dhe në të njejtën kohë edhe kjo është keqmenaxhim i parasë publike për shkak se ato taksa që i kanë pagu qytetarët, bizneset duhet me iu kthy ekonomisë, e jo me i mbajtë Qeveria për me na tregu statistika aty, që faktikisht nuk tregojnë asgjë por më shumë tregojnë paaftësitë e Qeverisë”, ka thënë Rukiqi për Express.
Muratit i ka reaguar edhe Avdullah Hoti, ish-ministër Financave tash deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai e quajti këtë naivitet të Ministrit.
“Të prezantohet si sukses suficiti buxhetor në kohën e krizës së inflacionit dhe krizës energjetike është naivitet. Sikur të kishim rritje ekonomike 10%, ndoshta edhe do të kishte kuptim suficiti buxhetor. Por, në situatën kur pagat nuk rriten dhe bllokohen miliona euro të investimeve kapitale, sigurisht se buxheti del në suficit”, shkroi Hoti./Gazeta Express













