Deklarata e zyrtarit të LDK-së, Besian Mustafa, se partia e tij ka gabuar rëndë kur votoi Hashim Thaçin për president, ka nxitur reagime të menjëhershme në skenën politike.
Sot ka reaguar edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka kundërshtuar ashpër këtë qëndrim. Sipas saj, problemi i vërtetë i LDK-së nuk ka qenë zgjedhja e Hashim Thaçit, por, siç shprehet ajo, një qëndrim i vazhdueshëm i karakterizuar nga heshtja, frika dhe mungesa e guximit politik.
Musliu deklaroi se këto elemente, sipas saj, kanë shoqëruar LDK-në ndër vite dhe kanë ndikuar në vendimmarrjet e saj politike.
Ky është postimi i saj i plotë:
Besian Mustafa paska thënë se votimi i Hashim Thaçit për president qenka “gabim trashanik i LDK-së”.
Jo. Gabimi trashanik i LDK-së nuk ka qenë Hashim Thaçi. Gabimi trashanik i LDK-së ka qenë heshtja, frika dhe mungesa kronike e guximit politik.
Ka qenë paaftësia për t’u përballur me të vërtetën dhe mungesa e kurajës për t’i drejtuar kritikë të hapur Donika Gërvallës, Faton Pecit dhe Vjosa Osmanit, duke ushqyer iluzione të rreme se këta do t’ia kthenin votat e humbura dhe do t’i riparonin dëmet kolosale që vetë ia shkaktuan LDK-së.
Kjo heshtje u bë edhe më e rëndë kur LDK mbylli sytë para skandaleve të shumta që shënuan mandatin e Faton Pecit në qeveri, Donika Gërvallës në diplomaci dhe Vjosa Osmanit në presidencë. Nga keqmenaxhimi dhe vendime të kontestuara, te arroganca politike, shkelja e standardeve institucionale dhe dëmtimi i funksionimit demokratik të shtetit. Gjithçka u tolerua në emër të kalkulimeve të ulëta politike. Me këtë sjellje, LDK nuk dështoi vetëm si opozitë, por u bë bashkëfajtore përmes heshtjes.
LDK zgjodhi të përkulej, jo të përballej. Zgjodhi të shpresojë, jo të veprojë. Kështu, u shndërrua në një subjekt frikacak, të paqëndrim dhe të padenjë për barrën historike që pretendon ta mbajë.
Problemi i LDK-së nuk është e kaluara; problemi i saj është mungesa e guximit për ta thënë të vërtetën sot.













