
Arben Mustafa nga Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pasi Qeveria Kurti fillimisht anuloi tenderin 4.8 milionësh për tekstet shkollore për nxënësit e klasës 1-5, me arsyetimin se kishte kapërcyer për 500 mijë euro vlerën e parashikuar.Mirëpo, sot pushteti ndau 6 milionë e 323 mijë e 380 euro për subvencionimin e teksteve shkollore nga klasa 1-5.
E, Mustafa pretendon se këtu bëhet fjalë për ndonjë aferë korruptive “të dështuar në tentativë”, ose dëshirojnë që të krijojnë “një iluzion të rrejshëm të mbështetjes së qeverisë për qytetarët”.
“Anulojnë tenderin prej 4.8 milionë euro për libra në emër të kostos së lartë, ndërsa për të njëjtin qëllim, veç se tani në emër të subvencionit, ndajnë 6.3 milionë euro”, shkroi ai.
“Këtu ose bëhet fjalë për ndonjë aferë korruptive të dështuar në tentativë, ose thjeshtë dëshirojnë të krijojnë një iluzion të rrejshëm të mbështetjes së qeverisë për qytetarët përmes transfereve direkte të parave – gjë që duket se paraqet të vetmen gjë që kjo qeveri din të bëjë. Amaterizëm dhe abuzim me buxhetin!”, tha Mustafa.












