Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të rishikojë udhëzimin administrativ për përcaktimin e marzhës së fitimit të tregtarëve në shitjen e derivateve të naftës.
Përmes një letre dërguar kryeministrit Kurti dhe ministrave të tij, naftëtarët kanë thënë se ndodhen në buzë të falimentimit, si pasojë e vendosjes së marzhës së fitimit në tregtinë e naftës, benzinës dhe gazit.
“Ju njoftojmë edhe njëherë se Vendimi i Qeverisë së Kosovës lidhur me sektorin e naftës i ka sjell kompanitë e vogla me pakicë buzë falimentimit. Ky vendim i Qeverisë i premtuar 12 cent për litër nuk është duke u zbatuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë”, thuhet në letrën e shoqatës.
Naftëtarët kanë thënë se aktualisht janë duke përfituar nga 4 cent në litër për naftë.
“Pikat me pakice janë furnizuar dje me çmimin 1.71 cent brenda territorit të Rep. së Kosovës, ndërsa Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e cakton çmimin me 1.75 cent, ku sipas kësaj pikat e vogla të karburantit nuk mund të mbijetojnë më 4 cent”, thuhet në njoftimin e Shoqatës së Naftëtarëve.
“Andaj, i apelojmë Qeverisë së Kosovës që sa më parë ta revidoj vendimin, të bëhet kalkulimi i importit, shitja me pakicë si dhe të caktohet çmimi nga ana e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, me qëllim që mos me i shuar bizneset e vogla në këtë kohë krize”, thuhet në njoftim.













