Vera von Lehndorff, e njohur më së shumti me emrin Veruschka, e cila falë shtatit të saj të gjatë dhe pozave të guximshme u bë njëra prej supermodeleve të para në botë, ka vdekur të martën në Berlin, në moshën 87-vjeçare.
Vdekja e saj u bë e ditur përmes faqes zyrtare të markës luksoze të rripave të motrës së saj, Catharina Kappelhoff-Wulff.
“Në vitet 1960 dhe 1970, ajo formësoi botën e modës, artit dhe fotografisë si askush tjetër”, thuhej në njoftim, ku modelja gjermane cilësohej si një “grua e jashtëzakonshme” dhe “ikonë globale”.
Veruschka u shkëput nga konceptet tradicionale të modelimit të asaj kohe, duke e përdorur trupin e saj në mënyrë shumë më shprehëse dhe dramatike sesa modelet e tjera të gjeneratës së saj. Gjatë fotografimeve, ajo shpesh nuk ishte thjesht modele, por bashkëpunëtore aktive në krijimin e imazheve.
E lindur në vitin 1939 në Königsberg, atëherë pjesë e Prusisë Lindore dhe sot Kaliningrad në Rusi, Veruschka u rrit në pronën familjare në territorin e Polonisë së sotme.
Fëmijërinë e kaloi nën hijen e luftës. Babai i saj, Heinrich Graf von Lehndorff, ishte pjesëtar i rezistencës gjermane dhe u ekzekutua për shkak të përfshirjes në përpjekjen e dështuar të vitit 1944 për atentatin ndaj Adolf Hitlerit.
Pas luftës, familja e saj u vendos në Hamburg, ku ajo studioi art, përpara se të shpërngulej në Firence të Italisë. Pikërisht atje, në moshën 20-vjeçare, u zbulua nga fotografi italian Ugo Mulas.
Me një gjatësi prej më shumë se 1.80 metrash, ajo dallohej dukshëm nga modelet e tjera të asaj kohe. Përmes tipareve të veçanta dhe paraqitjes së saj fizike, krijonte fotografi dramatike dhe avangarde.
Në mesin e viteve 1960, Veruschka ishte shndërruar në një prej modeleve më të njohura dhe më të paguara në botë. Ajo tërhoqi vëmendjen e Diana Vreeland, kryeredaktores së revistës prestigjioze “Vogue”, e cila e vendosi modelen në kopertinën e revistës plot 12 herë.
Supermodelja u shfaq edhe në disa filma, përfshirë “Blow Up” të regjisorit Michelangelo Antonioni, ku interpretoi veten në një skenë të famshme përkrah aktorit britanik David Hemmings. Ajo u shfaq gjithashtu në filmin “Casino Royale”, në vitin 2006.
Gjatë viteve 1960 dhe 1970, Veruschka bashkëpunoi me shtëpitë më të njohura të modës dhe dizajnerët më me ndikim të kohës, duke qenë muzë për emra si Valentino Garavani, Yves Saint Laurent dhe Karl Lagerfeld.
Fotografi i njohur Richard Avedon e kishte cilësuar atë si gruan më të bukur në botë.
Avedon dhe Veruschka bashkëpunuan edhe në një prej fotografimeve më të kushtueshme në historinë e modës. Projekti, i titulluar “Great Fur Caravan”, përfshinte një material prej 26 faqesh për revistën “Vogue” dhe u realizua gjatë pesë javëve në Japoni. Revista shpenzoi një milion dollarë për këtë projekt, shumë që sot do të kishte vlerën e rreth shtatë milionë dollarëve.
Pas lajmit për vdekjen e saj, kanë vërshuar homazhet dhe mesazhet e ngushëllimit nga figura të njohura të botës së modës dhe fotografisë.
Fotografi italian dhe ish-partneri i saj, Franco Rubartelli, tregoi se ata kishin rifilluar komunikimin së fundmi, pas më shumë se pesë dekadash pa pasur kontakt me njëri-tjetrin.
“Jeta më dhuroi një dhuratë të hidhur: pas më shumë se pesëdhjetë vjetësh pa ditur asgjë për njëri-tjetrin, më dha mundësinë të dëgjoja sërish nga Veruschka. E tani, pikërisht kur ajo derë ishte hapur vetëm disa centimetra pas gjysmë shekulli, era e ka përplasur sërish”, shkroi ai në Instagram.
Edhe fotografi Nigel Barker, i njohur si gjyqtar i emisionit “America’s Next Top Model”, vlerësoi kontributin e saj, duke thënë se Veruschka “ndihmoi në revolucionarizimin e fotografisë së modës”.
“Pata privilegjin ta fotografoja në vitin 2001. Ishte një moment shumë i rëndësishëm në karrierën time. Ajo mishëronte stilin dhe elegancën dhe ishte jashtëzakonisht modeste gjatë punës me ekipin tim. Të gjithë mësuam shumë se çfarë do të thotë të punosh me një ikonë të vërtetë”, shkroi ai në Instagram.
Në vitet 1970, Veruschka u largua nga modelingu tradicional dhe iu përkushtua karrierës si artiste.
Pavarësisht suksesit të jashtëzakonshëm, ajo kishte treguar në një intervistë për gazetën gjermane “Bild”, në vitin 2008, se modelingu nuk kishte qenë kurrë ëndrra e saj.
“Unë kurrë nuk kam dashur të bëhem modele, një objekt pa kuptim.
Ëndrra ime ka qenë gjithmonë të kem mundësinë të zhdukem kur nuk ndihem rehat, të jem plotësisht e lirë”, kishte deklaruar ajo.














