Kryeministri në detyrë i vendit, Albin Kurti, ka reaguar lidhur pritjen me nderime shtetërore që i është bërë trupit të pajetë të kriminelit të luftës, Ratko Mlladiq, duke thënë se në Serbi ‘’ekziston një paradoks i madh’’.
Kurti ka thënë se, nderimi i Mlladiqit, e bënë të vështirë për një shoqëri që të përballet me të kaluarën, të ketë pendesë apo të distancohet nga politikat që ka kryer ato krime.
‘’Ekziston një paradoks i madh te fqinji ynë verior. Trupi i pajetë i kriminelit Ratko Mladiq, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte, po pritet me nderime të larta shtetërore nga ish-ministri i Millosheviqit, tash president i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Nga protagonisti i gjuetisë me njerëz në Sarajevën e rrethuar në Bosnje, tash i njohur si “Sarajevo Safari”. Aleksandar Vuçiq me nderime të larta shtetërore pret kryerësin e krimit në Bosnjë, Ratko Mladiq, tash i ndjerë pasi që vdiq në burg në Hagë. Nga ai që përveç tjerash tha se për një serb të vrarë do të vriten 100 muslimanë boshnjakë, vetëm një javë pas Masakrës së Srebrenicës.
Ky është edhe një shembull i qartë i mënyrës së si në Serbi glorifikohet figura e njërit prej përgjegjësve kryesorë për krimet më të rënda të luftës në Bosnje. Kur një shoqëri nderon publikisht një të dënuar për gjenocid, është e vështirë të flitet për përballje me të kaluar, pendesë apo distancim nga politika që prodhoi ato krime’’, ka thënë ai.













