Saktësisht një vit më parë – për dallim nga sot – ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier, merrte pjesë në ceremoninë shtetërore për të shënuar 23-vjetorin e Çlirimit të Kosovës.
Në manifestimin qendror “Nga Eksodi në Liri” te Treni Muze, në Bllacë të Hanit të Elezit, i cili ishte organizuar vitin e kaluar për përvjetorin e 23-të të Ditës së Paqes, Hovenier thoshte se është i nderuar ta festojë këtë ditë.
Ai kishte kujtuar se 23 vjet më parë NATO-ja solli stabilitet dhe prosperitet për Kosovën dhe rajonin, raporton Paparaci.
“I nderuar për të festuar sot Ditën e Paqes në kufirin e Maqedonisë së Veriut/Kosovës, përkrah zyrtarëve të Kosovës dhe anëtarëve të komunitetit diplomatik. 23 vjet më parë këtu, shumë kosovarë u kthyen në shtëpi. NATO-ja solli stabilitet dhe prosperitet për Kosovën dhe rajonin”, shkruante Hovenier në Twitter, krahas fotografive të publikuara me krerët e shtetit të Kosovës.
E pas një viti, duket se tashmë disa gjëra kanë ndryshuar. Hovenier, bashkë me katër ambasadorët e tjerë të vendeve të QUINT-it e bojkotuan ndejën shtetërore për 24-vjetorin e Çlirimit të Kosovës.
Të hënën në Prishtinë, diplomatët ndërkombëtarë ia dhanë një goditje Kosovës, duke injoruar kështu ceremoninë shtetërore të organizuar nga presidentja Vjosa Osmani.
Shkas, siç mëson Paparaci nga burimet diplomatike, u bënë ngjarjet dhe tensionet e shkaktuara në komunat veriore. Në veri, Qeveria Kurti vendosi që t’i çojë njësitet policore për t’i asistuar kryetarët veriorë të futen në objektet komunale.
Më pas, ndërkombëtarët e qortuan publikisht e privatisht shefin e qeverisë, Albin Kurti dhe kërkuan de përshkallëzim të menjëhershëm si dhe zgjedhje të reja atje.
Burime diplomatike perëndimorë i kanë thënë Paparacit, se bojkoti i sotëm është bërë për t’i dhënë mesazh kryeministrit, Albin Kurti se tashmë ai nuk është në një linjë me Amerikën dhe aleatët.
Prezent në ndejën shtetërore ishin – ndër të tjera – edhe ambasadorët e Zvicrës, Austrisë dhe Arabisë Saudite, por jo edhe ata të QUINT-it. Sipas Presidencës së Kosovës, ambasadorët e QUINT-it s’ishin prezent pasi u tha se ndodhen jashtë vendit.
Por paraprakisht, presidentja Osmani kishte takuar ambasadorin gjerman, Jorn Rohde dhe atë të Italisë, Antonello De Riu. Prandaj, përgjigja e dhënë prej kabinetit të Osmanit për Paparacin, bën të duket valide dhe jo e vërtetë.
Nga ana tjetër, të pranishëm qenë përveç liderëve shtetërorë edhe disa deputetë, ministra e anëtarë të shoqërisë civile.
23 vjet më parë, më 12 qershor 1999, forcat e NATO-s hynë në Kosovë. Paraprakisht nisur bombardimet e NATO-s kundër që zgjatën 78 ditë.
Pas sulmeve ajrore bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe trupat serbe u tërhoqën nga Kosova












