Pas një pune intensive të Presidencës Çeke sot i është dhënë drita jeshile çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën. Kosovarëve duhet t’iu hiqet regjimi i vizave jo më larg se janari i vitit 2024. Pas vendimit të sotëm të ambasadorëve në kuadër të COREPER, pritet që të nisin negociatat në mes të Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian për këtë çështje.
Lidhur me zhvillimin e sotëm ka reaguar edhe gazetari Stephan Israel i cili ka thënë se falë Presidencës Çeke kjo çështje u rregullua para përfundimit të vitit 2022.
Ndërkohë ka theksuar një detaj tjetër, ku gjatë vitit 2023 me Presidencën e Bashkimit Evropian do të udhëheqin Suedia dhe Spanja, shtete të cilat kanë shfaqur skepticizmin e tyre për heqjen e regjimit të vizave për kosovarët.
Siç shkruan Stephan Israel të dy këto shtete kanë pak interes për ta shtyrë përpara dosjen e liberalizimit të vizave për kosovarët.
“U rregullua para përfundimit të vitit falë Presidencës Çeke. Pas kësaj, Suedia dhe Spanja do ta marrin në dorë, me pak interes për ta avancuar çështjen”, ka shkruar Israel.











