Gjenerali Mark Milley, shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë amerikane, ka shkuar javën e kaluar në një aeroport sekret pranë kufirit ukrainas, i cili u bë qendra për dërgimin e armëve, ka thënë një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes së SHBA. Ai ka parë në vendin e ngjarjes përpjekjet për të futur armë në Ukrainë në mes të agresionit luftarak të Rusisë, shkruan CNN.
Derisa ishte në aeroport, Milley u takua me trupat dhe stafin dhe inspektoi aktivitetet e dërgesës, ka thënë ky zyrtari të premten. Ky vend ka qenë plot aktivitete ditët e fundit, duke lëvizur nga disa deri në 17 fluturime çdo ditë.
Vendndodhja e aeroportit mbetet sekret për të mbrojtur dërgesat e armëve, përfshirë raketat të cilat mbërrijnë në Ukrainë. Ushtria ruse nuk i ka vërejtur këto dërgesa kur ato kanë hyrë në Ukrainë, ka thënë ky zyrtar, por ka disa shqetësime se Rusia mund të fillojë t’i qëllojë dërgesat derisa përparojnë sulmet e saj.
Shtetet e Bashkuara dhe anëtarët e tjerë të NATO-s kanë dërguar deri më tani 17.000 raketa antitank dhe rreth 2.000 raketa kundër ajrore “Stinger” në Ukrainë, ka thënë një zyrtar i lartë amerikan për CNN.

Madje edhe para fillimit të pushtimit rus muajin e kaluar, qiejt mbi Evropën ishin mbushur me aeroplanë transportues ushtarakë të SHBA-së si dhe me ato të tipit C-17. Fluturimet lëviznin trupat përgjatë krahut lindor të NATO-s, por edhe armët që mund të dërgohen deri në kufi me Ukrainën. Ritmi i fluturimeve gjithnjë e më tepër po rritet.
Komanda Evropiane e SHBA është në qendër të një operacioni të dërgesës masive, duke përdorur rrjetin e saj për t’u lidhur me aleatët dhe partnerët koordinues për të dërguar materiale në Ukrainë “në kohën reale”, ka thënë një zyrtar tjetër i mbrojtjes së SHBA.


“EUCOMM gjithashtu po koordinon me vendet e tjera, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, për sa i përket procesit të dërgimit që të sigurohet që ne po i përdorim burimet tona në mënyrë sa më efikase të jetë e mundur për të mbështetur ukrainasit në një mënyrë të organizuar”, ka shtuar ky zyrtar, transmeton Paparaci.
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, 14 vende kanë dërguar ndihmë për siguri në Ukrainë, ka thënë ky zyrtar, disa prej të cilëve rrallë kanë dërguar më parë pajisje kaq të rëndësishme.
Sipas zyrtarëve, “shumica dërrmuese” e paketave të ndihmës amerikane për siguri me vlerë prej 350 milionë dollarë tashmë janë dorëzuar në Ukrainë, vetëm një javë pasi Shtëpia e Bardhë e miratoi këtë zyrtarisht.
Përafërsisht 240 milionë dollarë ndihma kanë mbërritur në Ukrainë, ndërsa pjesa tjetër duhet të arrijë brenda pak ditësh. Ukrainasit e përdorin këtë ndihmë ushtarake në pjesë të ndryshme të vendit për të zmbrapsur sulmet ruse.
“Unë mendoj se ne të gjithë ishim jashtëzakonisht të impresionuar se me çfarë efikasiteti forcat e armatosura ukrainase po përdorin pajisjet që iu siguruam”, ka thënë ky zyrtar i lartë i mbrojtjes së SHBA.

Ndoshta efikasiteti më i rëndësishëm është ajo që qe sa ditë autokolona masive rus pranë Kievit mezi ka lëvizur prej vendit.
“Ne e dimë se ata kryen sulme në ndaj asaj kolone, se ato sulme ishin efektive në ngadalësimin dhe ndalimin e trupave ruse”, ka thënë zyrtari i lartë i mbrojtjes të premten.
Pajisjet që u dërgohen ukrainasve janë ato për të cilat tashmë ushtarët e Ukrainës kanë kryer aftësimin në fund të dhjetorit dhe në fillim të janarit.
Shpejtësia me të cilën Shtetet e Bashkuara tani po dërgojnë armë në Ukrainë është shumë më e lartë se sa ishte vetëm dy muaj më parë. Pjesa më e madhe e paketave me vlerë prej 200 milionë dollarëve të lejuar në fund të dhjetorit u dorëzua brenda një muaji edhe pse një pjesë e municionit ende nuk është dorëzuar, ka thënë ky zyrtar.
Ndërkohë, paketa e plotë prej 350 milionë dollarëve, të cilën zyrtari e cilësoi si më të madhen në histori, duhet të dorëzohet tërësisht brenda pak ditësh apo javësh.












