
Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci, assesi nuk po pajtohet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Instanca më e lartë gjyqësore në vend, përmes një aktgjykimi të nxjerr para disa ditësh ka gjetur se Nagavci, si ministre e Arsimit ka shkelur Kushtetutën në rastin ku ish- kryetari i komunës së Kamenicës, Qendron Kastrati e kishte paraqitur në organin më të lartë juridik vendimin e saj “Për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar për 441 nxënësit e Komunës së Kamenicës”.
E kur opozita, analistë dhe nga shoqëria civile kanë kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, Nagavci sot përmes një komunikate për media ajo ka ‘kontestuar’ vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke e quajtur atë vlerësim të kufizuar.
Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës dhe të përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën. Ajo siguron funksionalitetin e institucioneve të vendit në pajtim me Kushtetutën dhe garanton mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive individuale të garantuara me Kushtetutë
“Ne respektojmë Aktgjykimin në plotni, ashtu siç e përcakton shkronja dhe fryma e Kushtetutës. Megjithatë, siç është e vërejtshme edhe në vet dispozitivin e Aktgjykimit në fjalë, aty vetëm ‘deklarohet’ një mospërputhje e një gjendjeje faktike që është shuar së ekzistuari në fund të korrikut të vitit 2021.
Një fakt i tillë është tregues që Aktgjykimi KO145/21 nuk përcakton asnjë mospërputhje kushtetuese që ekziston aktualisht, apo të tillë që do të duhej t’i ndërpritej pasoja juridike (paragrafi 92 i Aktgjykimit)”, thuhet tutje. Pas një analize të të gjeturave të Aktgjykimit, thuhet në reagim, MAShTI-i vëren që ky i fundit e ka vlerësuar kushtetutshmërinë e Vendimit të MAShTI-it sa i përket përputhshmërisë së tij me parimet e vetëqeverisjes lokale, vlerësim ky i natyrës kryesisht formale, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese, për shkak të mungesës së jurisdiksionit në rastin konkret, nuk e ka vlerësuar aspektin e përputhshmërisë së Vendimit 01B/24 me të drejtën në arsim të garantuar me Nenin 47 të Kushtetutës (ndërlidhur me Nenin 2 të Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut)”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e MASHT.
Por ky veprim i Arbërie Nagavcit ka ngjallur reagimin e Institutit të Kosovës për Drejtësi, e ku Ehat Miftaraj ka thënë për Gazeta Blic se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen në plotni e assesi të gjykohen në publik.
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim, Ministria e Arsimit dhe asnjë autoritet tjetër publik në Kosovë që është subjekt apo palë i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, nuk kanë kompetencë dhe as përgjegjësi për të vlerësuar apo komentuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohet dhe assesi të gjykohen në publik”, thotë Miftaraj.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës dhe të përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën.
Ai thotë se Kushtetuesja siguron funksionalitetin e institucioneve të vendit në pajtim me Kushtetutën dhe garanton mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive individuale të garantuara me Kushtetutë.
E, ai që e kishte nisur në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Arbërie Ngavacit, ish-kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar dhe përcaktimit të organizimit në objektet shkollore.
Kastrati përmes një postimi në Facebook, kishte thënë se Nagavci e ka shkelur Kushtetutën e vendit duke shtuar se nuk mund t’ia hedhë kësaj punë kaq thjesht.
“Vendimi që u vërtetua kundër-kushtetues ka prodhuar pasoja. Ai ka ndërsyer njerëz kundër reformës. Ministrja Nagavci nuk mund t’ia hedhë kësaj pune kaq thjesht. Ajo ka penguar një reformë për arsye te elektorale, duke shkelur kushtetutën. Tash duhet përgjegjësi. Jo me pak se dorëheqje”, kishte shkruar ai.
Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë vendimin e Ministrisë së Arsimit për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar dhe përcaktimit të organizimit në objektet shkollore në Komunën e Kamenicës.
Në vendimin e Kushtetueses thuhet se MASHTI-i përmes vendimit ‘ka tejkaluar kompetencën dhe ka cenuar përgjegjësitë komunale, përkatësisht ka ndërhyrë në kompetencat vetanake të Komunës së Kamenicës përkitazi me ofrimin e arsimit publik, në kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe ligjore’.











