Ukraina nuk është e gatshme të bëjë kompromis për integritetin e saj territorial në bisedimet me Rusinë por është e gatshme për kompromis lidhur me mos-anëtarësimin e saj në NATO, tha një nga negociatorët ukrainas të dielën.
Ukraina ka aspiruar anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO, të dyja të kundërshtuara nga Moska. Vladimir Putin ka përmendur anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës në NATO si dëshmi të asaj që ai e quan si agresion i NATO-s kundër Rusisë.
“Përgjigja që po marrim nga vendet e NATO-s është se ata nuk janë të gatshëm as të diskutojnë për ne në NATO. Së paku jo për periudhën e ardhshme prej pesë apo 10 vjetësh”, tha negociatori David Arakhamia në një deklarim për televizionin amerikan Fox News.
“Ne jemi të gatshëm të diskutojmë disa modele kundër anëtarësimit në NATO. Për shembull, mund të ketë garanci direkte nga vende të ndryshme si SHBA-ja, Kina, Britania e Madhe, ndoshta Gjermania dhe Franca. Ne jemi të hapur për të diskutuar gjëra të tilla në një rreth më të gjerë, jo vetëm në diskutimet dypalëshe me Rusinë, por edhe me partnerët e tjerë”.
Delegacionet nga Ukraina dhe Rusia kanë zhvilluar dy raunde bisedimesh që kur Rusia nisi agresionin ushtarak më 24 shkurt.
Raundi tjetër i bisedimeve pritet të hënën, sipas palës ukrainase.













