Me rastin e përvjetorit të rënies heroike të Komandant Shemsi Ahmetit, nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Arian Tahiri, ka kujtuar figurën dhe veprën e tij të lavdishme në Betejën e Melenicës.
“Komandant Shemsi Ahmeti mbetet njëri ndër figurat më emblematike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili në Betejën e Melenicës dëshmoi shpirtin e madh luftarak dhe përkushtimin ndaj atdheut,” u shkroi Tahiri.
Beteja e Melenicës, që zgjati plot 39 ditë, njihet si një nga betejat më të lavdishme të UÇK-së dhe më vonë u pagëzua me emrin “Epopeja e Melenicës”. Më 26 prill, që njihet si kulmi i kësaj epopeje, u zhvilluan luftimet më të ashpra në lagjen Cenaj dhe në kodrën e Majdanit, ku shumë luftëtarë ranë heroikisht, përfshirë Rrustem Hysenin – Historiani, Ahmet e Xhemail Haxhën, si dhe Asllan Cimilin.
Komandant Shemsi Ahmeti, me vendosmëri të pashoq, udhëhoqi ushtarët drejt majës së Majdanit, duke luftuar në vijën e parë të frontit. Në orët e mbrëmjes, ai ra heroikisht së bashku me ushtarin Arsim Muzaqi, duke lënë pas një trashëgimi të pavdekshme.
“Tashmë emri i Komandantit Shemsi Ahmeti gjendet në çdo cep të Kosovës – në sheshe, rrugë, shkolla, poezi, këngë, libra dhe pllaka përkujtimore. Në zemër të Mitrovicës qëndron me krenari edhe shtatorja e tij,” shkroi nënkryetari Tahiri.
Ai përmbylli postimin e tij duke nderuar veprën e UÇK-së dhe sakrificën e popullit të Kosovës:
“Lavdi e përjetshme UÇK-së dhe popullit të Kosovës!”