Nga 1 janar i vitit 2024, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen.
Por, kjo nuk do të ndodhë edhe për serbët e Kosovës.
Ata janë të vetmit në Ballkan që nuk do të mund të udhëtojnë pa viza.
Kjo pasi që serbët e Kosovës deri më tani nuk e kanë poseduar një pasaportë biometrike të lëshuar nga shteti i Kosovës.
Por, mesa duket ky vendim për viza ka bërë që të reflektojnë ata.
Pasi që nga marrja e këtij vendimi, është shtuar numri i kërkesave që kanë aplikuar për t’u pajisur me pasaportë të Republikës së Kosovës.
Kështu kanë thënë për Front Online nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës.
Që nga janari e deri më 17 maj, kanë aplikuar për pasaportë kosovare 1 mijë e 511 serbë të Kosovës.
“364 Mitrovicë Veriore, 12 Leposaviq, 97 Novobërdë, 431 Graçanicë, 339 Shtërpcë, 39 Z.Potok, 0 Zveçan, 82 Partesh, 147 Klllokot”, thuhet në përgjigjen e MPB-së që kanë dhënë për Front Online.
Pasaportat për serbët e Kosovës që i lëshon e ashtuquajtura Administratë Koordinuese në Beograd, nuk janë të vlefshme për të lëvizur pa viza, ndonëse Serbia si shtet ka liberalizim prej vitit 2009.
Vendimi pritet të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024 prej kur qytetarët e Kosovës, do të mund të udhëtojnë pa viza në atë që njihet si zona Schengen dhe përbëhet prej 27 shtetesh evropiane.
Liberalizimi i vizave mundëson udhëtime pa viza vetëm deri në 90 ditë, brenda gjashtë muajsh, në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.













