Katër ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, institucionet kanë ndërmarrë një varg masash ndaj zyrtarëve që dyshohet se kanë neglizhuar trajtimin e rastit dhe paralajmërimet e viktimës për rrezikun që i kanosej.
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka suspenduar kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren e rastit, Arlinda Nallbani-Gacaferri.
Vendimi u mor në mbledhjen e jashtëzakonshme të KPK-së, pas kërkesës së kryeprokurorit të Shtetit, Zejnulla Gashi, i cili kishte rekomanduar suspendimin e tyre dhe nisjen e procedurave disiplinore.
KPK-ja ka themeluar gjithashtu një panel hetimor për shqyrtimin e rastit, ndërsa në pozitën e ushtrueses së detyrës së kryeprokurores së Pejës është caktuar Valbona Disha-Haxhosaj.
Suspendimet ndaj dy prokuroreve janë bërë pas dyshimeve për veprimet dhe mosveprimet e tyre në trajtimin e rastit të Zekajt, e cila kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë nga institucionet dhe, tri ditë para vrasjes, i kishte dërguar një letër kryeprokurores së Pejës, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.
Suspendime janë bërë edhe në Policinë e Kosovës.
Policia, bazuar në rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), ka suspenduar 11 zyrtarë policorë, ndaj të cilëve po zhvillohet hetim paraprak lidhur me veprimet dhe mosveprimet në trajtimin e rastit.
Në mesin e të suspenduarve janë:
- Ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë;
- Shefi i Hetimeve Rajonale në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë;
- Komandanti i Stacionit Policor në Pejë;
- Zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Pejë;
- Shefi i Sektorit të Hetimeve në Stacionin Policor në Pejë;
- Ushtruesi i detyrës së shefit të Sektorit të Operativës në Stacionin Policor në Pejë;
- Komandanti i Nënstacionit Policor në Vitomiricë;
- Katër hetues policorë të Stacionit Policor në Pejë.
Policia ka bërë të ditur se suspendimet janë ndërmarrë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përcaktimit të përgjegjësive individuale.
Hetimet e IPK-së kanë nxjerrë në pah edhe probleme në zbatimin e urdhrave mbrojtës.
Sipas gjetjeve preliminare të Inspektoratit Policor, Policia nuk e kishte dokumentuar ekzekutimin e urdhrit mbrojtës të lëshuar më 7 shtator për Arlinda Zekajn.
Ndërsa urdhri i dytë mbrojtës, i lëshuar më 16 tetor, ishte ekzekutuar me gjashtë ditë vonesë, më 22 tetor, pas ndërhyrjes së IPK-së, e cila paraprakisht kishte pranuar informatë nga vetë viktima.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës. Për vrasjen dyshohet ish-kunati i saj, Albert Sylaj, i cili u arrestua më 27 tetor në Deçan dhe ndaj të cilit gjykata ka caktuar një muaj paraburgim.
Rasti ka nxitur reagime të shumta publike dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale, pasi Zekaj kishte kërkuar mbrojtje nga policia dhe prokuroria, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.
















