Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar se nga sot ka filluar zbatimi i mbulimit të kostos së policës kufitare për mërgimtarët.
Ai ka bërë të ditur se polica 1-mujore e sigurimit për të gjitha automjetetet deri në 9 pasagjerë mund të merret falas në të gjitha pikat kufitare hyrëse.
“Nga sot, 1 korrik, ka filluar zbatimi i mbulimit të kostos së policës kufitare për bashkatdhetarët që vijnë në vendlindje. Polica 1-mujore e sigurimit për të gjitha automjetetet deri në 9 pasagjerë mund të merret falas në të gjitha pikat kufitare hyrëse. Mirë se vini në Kosovë! ”, ka shkruar Murati.
Ndryshe, Qeveria në detyrë e Kosovës ka marrë vendim më 27 qershor që të ndajë 4 milionë euro për mbulim të kostos së policave të sigurimit për mërgimtarët që vinë në Kosovë për pushime.