Llausha e Drenicës është përballur me dëme të mëdha në sektorin e bujqësisë, si pasojë e temperaturave ekstreme që kanë goditur vendin ditët e fundit.
Fermeri Smajl Balaj ka bërë të ditur se i gjithë prodhimi i këtij sezoni është pothuajse i humbur, pasi ngricat e forta kanë dëmtuar rëndë edhe kulturat e mbrojtura.
“Nga sot, vazhdojmë përgatitjet për vitin tjetër, sepse ky iku”, ka shkruar ai, duke përshkruar situatën e rëndë me të cilën po përballen.
Sipas tij, temperaturat e ulëta kanë qenë aq të ashpra, saqë as agrofolia nuk ka mundur t’i mbrojë bimët nga dëmtimi. Si pasojë, pothuajse gjithçka është shkatërruar, ndërsa kanë mbetur vetëm pak fruta që pritet të zhduken në ditët në vijim, bazuar në parashikimet e motit.
Pavarësisht humbjeve, Balaj shprehet se do të vazhdojnë punën me përkushtim dhe besim, duke kërkuar të sigurojnë jetesën me mund të ndershëm dhe duke e pranuar çdo sfidë si pjesë të rrugës.













