
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur të mbahet seanca gjyqësore ndaj “Currit” dhe të tjerëve në rastin ku po akuzohen për fajde, shkruan Insajderi.
Në nëntor të 2021-ës, prokuroria kishte ngritur aktakuzë kundër Ismet Osmani-Curri, Ilir Bojkut, Adil Thaqit, Mentor Maqanit dhe Sami Nikës.
Përveç veprës penale “fajdeja”, të njëjtit dyshohen edhe për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Detyrim”.
Në bazë të aktakuzës, Sami Nika, Ismet Osmani dhe Ilir Bojku nga fundi i vitit 2013 deri në shtator të 2015-ës, kanë kryer veprën penale “Fajde” me qëllim përfitimin.
Kurse i pandehuri Mentor Maqani, ka kryer veprat “Fajde”, “Mashtrim” dhe “Detyrim”, po ashtu me qëllim për përfitime për tu pasuruar.












