Jozefin Marku – Jozi ka thyer heshtjen pas publikimit të videove të përballjes me Edi Kuçin, në autostradën Tiranë-Durrës.
Në një komunikim për Top Channel, Jozi ka hedhur poshtë pretendimet për dhunë reale, duke u shprehur se e gjithë ngjarja ka qenë një shfaqje e inskenuar.
“Asgjë s’ka ndodhur, jemi aktorë, e kemi bërë vetë”, ka deklaruar këngëtari.
Nga ana tjetër, lidhur me lajmet e ditës së sotme për lëshimin e një urdhër-arresti ndaj tij nga Prokuroria e Pejës, Jozi i ka cilësuar këto informacione si të pavërteta. “Janë fake, nuk kam arsye të jem atje”, ka shtuar ai, duke mohuar çdo lloj përfshirjeje në ndonjë çështje ligjore aktuale në qytetin e Pejës.
Ndërkaq, sot gjatë ditës, Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur se ndaj Jozit rasti është iniciuar me vetiniciativë nga prokurori kujdestar, për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Ndërkohë, sipas informacioneve që ka siguruar “Insajderi”, po sot është intervistuar nga prokuroria edhe Edi.
Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
“Po, mund ta konfirmoj se është intervistuar sot gjatë ditës”, deklaroi Nikçi për Insajderin.












