
Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, duke ia caktuar një muaj paraburgim Hasan Krasniqit, kryeshef i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.
Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, gjyqtari i procedurës paraprake e ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për masën e paraburgimit.
Kryeshefi i KRU “Gjakova”- Dyshohet se keqpërdori detyrën në tenderin për blerjen e barkës
Në kërkesën e Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhet se Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KRU “Gjakova”, me dashje dhe dijeni kishte vepruar në kundërshtim me autorizimet ligjore të parapara për këtë pozitë dhe rregullat e zbatueshme të prokurimit publik, në atë mënyrë që lidhur me aktivitetin e prokurimit “Furnizimi me barkë” kishte ndërmarrë veprimet e kundërligjshme.
Aty thuhet se më 5 korrik 2024, me sugjerimin dhe kërkesën e tij, të adresuar nga Visar Hasi- drejtor teknik në KRU “Gjakova”, ishte parashtruar kërkesa për inicimin e procedurës prokurimit, duke vendosur kritere teknike të cilat ishin qartazi favorizuese për OE (Operatorin Ekonomik) fitues “Lind Fix” ShPK, duke përjashtuar kështu të gjithë konkurentet e tjerë. Të dhënat specifike të barkës, thuhet se i dyshuari Krasniqi i siguroi nga pronari i barkës Arlind Hasimja, me të cilin janë në marrëdhënie miqësie.
Gjithnjë sipas kërkesës, kriteret favorizuese për OE fitues dhe përjashtuese për OE konkurrues, ishin bartur në dosjen e tenderit për këtë aktivitet të prokurimit dhe me krijimin e Komisinit për vlerësimine oferatve i kishte vendosur anëtraët e saj në një çështje të kryer, pasi që dihej fituesi.
Sipas Prokurorisë, OE fitues “Lind FIX” shpk, ishte shpallur fitues i tenderit me çmimin 24 mijë e 500 euro. Kurse, kontrata për furnizimin me barkë u nënshkrua më 16 gusht 2024.
Pasi ishin caktuar menaxheri i kontratës dhe mbikëqyrësi i drejtpëdrejtë i menaxherit të kontratës, Prokuroria thekson se ishte formuar Komisioni për pranimin teknik për pranim të barkës për tenderin në fjalë. Më pastaj, Komisioni kishte bërë pranimin e barkës.
Kjo thuhet se u bë duke u shkrepur katër fotografi të saj në oborrin e KRU “Gjakova”, duke mos kërkuar e as verifikuar dokumentacionin përcjellës të barkës, përfshirë kontratën e shitblerjes, faturën e blerjes, kartelën e bankës si dhe dokumentacionin doganor për kryerjen e procedurave doganore për mallin. Pas kësaj, thuhet se u përpilua edhe raporti për pranimin e barkës.
Sipas Prokurorisë, më 9 shtator 2024, pas verifikimi të dokumentacionit dhe procedurave, si dhe miratimit nga drejtori teknik Visar Hasi dhe kryeshefi ekzekutiv Hasan Krasniqi, u ekzekutua pagesa në shumën 24 mijë e 500 euro për “Lind Fix” ShPK.












