
Në seancën e Parlamentit Evropian është miratuar rezoluta për zgjerim e Bashkimit Evropian, e cila i rekomandon Komisionit Evropian dhe vendeve anëtare që avancimi i Serbisë drejt BE-së të kushtëzohet me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe progresin e dukshëm në reforma.
Është miratuar edhe një amendament me të cilin ndër të tjera rekomandohet rishikimi i fondeve të para-anëtarësimit për Serbinë dhe projekteve të financuara prej tyre.
Shumica dërrmuese e deputetëve mbështetën strategjinë e zgjerimit të përgatitur nga deputeti kroat Tonino Picula, ku përmendet edhe Serbia.
Në atë dokument, vendeve anëtare rekomandohet të bëjnë përparim të mëtejshëm në negociatat me Serbinë vetëm nëse ajo respekton sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë dhe bën përparim të dukshëm në reforma.
Gjithashtu, në këtë dokument, Parlamenti Evropian shkruan se është e nevojshme të forcohet angazhimi konstruktiv i BE-së me autoritetet e Serbisë dhe Kosovës për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.










