
Nesër në Bruksel do të ketë takime të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me liderë evropianë.
Takime të njëjta do të ketë edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.
Sipas BE-së, takimet do të jenë për situatën mes Kosovës e Serbisë në procesin e dialogut.
Po ashtu, sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, takimet do të jenë përforcim i asaj që është thënë gjatë vizitës së Miroslav Lajçak në Kosovë dhe Serbi gjatë fundjavës.
Lidhur me këtë, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se mbetet të shihet se çka është pranuar, derisa ende s’dihet përmbajtja e planit të pesëshes.
“E vërteta qëndron se përfaqësuesit shtetëror të Kosovës e Serbisë janë ftuar në Bruksel, dhe se është konfirmuar pjesëmarrja e tyre. Por, se çfarë është pranuar e çfarë jo, mbetet për t’u parë, për aq sa nuk ka qarkulluar për publikun përmbajtja e propozimeve nga ana e pesëshes”, shprehet ai.
Sipas Pulës, sulmi i Banjskës i ka dhënë Kosovës goditje politike dhe Brukseli ende s’i ka shqiptuar asnjë masë Serbisë për mbështetjen ndaj atij grupi.
“Natyrisht, ngjarjet e 24 shtatorit 2023 i kanë dhënë një goditje Kosovës politike dhe qytetarëve të saj, e për më keq deri më tani Brukseli zyrtar, nuk ka arritur t’i shqiptojë asnjë lloj mase apo sanksioni Serbisë zyrtare për mbështetjen e dhënë grupeve parashtetërore serbe në agresionin ushtarak kundër rendit kushtetues dhe sigurisë brenda territorit të Republikës. Pra, Brukseli zyrtar, po shfaq një absurditet të veçantë në ftesën ndaj palëve për tryezë bisedimesh kur njëra palë cenon rëndë integritetin territorial të palës tjetër, dhe nuk ka vendim-marrje ndëshkimi”, vlerëson ai për Gazeta Blic.
Pula thekson se nuk mund të priten mrekulli nga këto takime dhe se Brukseli do të ketë sërish fraza boshe.
“Nëse vlerësohen radhazi, takimi i 14 shatorit 2023 në Bruksel, fjalimi i 15 shtatorit 2023 mbajtur nga presidenti serb Vuçiç me një përmbajtje nacionaliste, më pas fjalimin e mbajtur në OKB, si dhe agresionin nga grupet parashtetërore serbe me mbështetje të Beogradit zyrtar, deklarimi publik i presidentit serb Vuçiç, se “për ne, nuk ekziston Kosova shtet dhe se ne nuk e njohim edhe po të na vrisni të gjithëve”, tregon qartazi edhe karakterin ushtarak të atij formacioni parashtetëror serb me 24 shtator, 2023 pra, secila veç e veç apo të gjitha në tërësinë e tyre tregojnë shumë se çfarë mund të jenë pritjet edhe nga takimi i radhës. Mrekulli nuk do të ketë, ndërkaq nga Brukseli zyrtar sërish frazat boshe të ripërsëritura”, thotë njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Ai përmend deklaratën e Kurtit për zbatim të pikave me radhë, nëse arrihet marrëveshje.
“Në referim të deklarimeve publike të kryeministrit të Kosovës, pas takimit të 27 shkurtit 2023 në Bruksel dhe atij të 18 mars 2023 në Ohër ku ka theksuar se nëse kemi marrëveshje, atëherë do të duhej zbatuar pikë pas pike dhe jo të ketë selektime apo përparësi të një pike kundrejt një pike tjetër”, deklaron Shqiprim Pula.












