
Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykimin ndaj punëtorëve të sigurimit të diskotekës ‘Stop’ në Gjilan, të cilët më 30 korrik u akuzuan se kanë rrahur një pjesëtar të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke i shkaktuar lëndime trupore. Ndaj dy të dyshuarve Irfan Demiri dhe Përparim Shabani ishte ngritur aktakuzë, ndërsa para disa ditësh ata janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar nga Gjykata. Sinjali ka siguruar aktgjykimin për këtë rast dhe ju sjellë detajet.
Mësohet se Demiri dhe Shabani janë dënuar për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, me nga 1000 euro gjobë, secili veç e veç, shumë kjo që duhet ta paguajnë në afat prej 60 ditësh. Ndërsa koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak iu është llogaritur të dyshuarve në dënimin e shqiptuar.
Ata po akuzohen se më 30 korrik, në orët e mbrëmjes në Gjilan me dashje e kanë lënduar pjesëtarin e FSK-së, duke i shkaktuar pengesa të përkohshme për shëndetin. Ngjarja kishte ndodhur pas mesnatës, ashtu që kur viktima ka shkuar në diskotekë me anëtarët e familjes, kishin hyrë në pjesën e VIP, punëtore i sigurimit Shabani i ishte drejtuar me fjalët “Çka po sillesh poshtë e lartë, ik nga këtu”. Në ato momente ai ka sulmuar me grushte pjesëtarin e FSK-së dhe më pas kanë intervenuar edhe punëtorët e tjerë të sigurimit, njëri prej të cilëve edhe i akuzuari tjetër Irfan Demiri, me të cilin e kanë sulmuar me grushte, duke i thënë “Nxirre këtë qen jashtë”.
Ndryshe, Sinjali mëson se të akuzuarit e kanë pranuar veprën penale të cilën e kanë kryer. Për këtë rast, Gazeta Sinjali ka raportuar ekskluzivisht me detaje për këtë rast.












