
Profesori universitar, Milazim Krasniqi, ka reaguar për ngjarjen e rëndë që ndodhi të shtunën mbrëma në qytetin Aachen të Gjermanisë.
Kjo pasi aty, një burrë nga Kosova e ka vrarë ish-gruan e tij në parkingun e një qendre tregtare.
E sipas Krasniqit, disa reagime e komente naive paraqesin rrezik jo veç për komunikimin, por edhe për sigurinë.
“I lexova shumë reagime e komente naive e disa edhe destruktive, ndaj postimit të Arta Avdiut, mbi dhunën ndaj grave. Kaq shumë të padijshëm në një vend kaq të vogël, paraqesin rrezik jo vetëm për komunikimin normal, po edhe për sigurinë. O njerëz, problemi është i qartë: dhuna që po shpërfaqet ndaj grave është vetëm maja e ajsbergut e trajtimit brutal të gruas në familje e në shoqëri”, shkroi ai në Facebook.
Krasniqi thotë se është i bindur se janë me qindra mijëra gra në këtë shoqëri, “të cilat nuk flasin, nuk reagojnë kurrë publikisht, edhe pse janë të shtypura brutalisht nga mujsharia e burrave primitivë, që sillen sikur kanë dalë nga nenet e Kanunit të Lekë Dukagjinit”.
“Kush nuk e sheh që dukuri e përhapur ndër ne është që gruaja të nënçmohet e nënvleftësohet edhe kur shprehë një mendim? Ajo është dhunë psikologjike, more. Dhuna fizike është vazhdimësi e dhunës psikologjike ndaj saj. E tërë kjo dhunë e ka burimin te Kanuni, i cili gruan e trajtonte si objekt, si send. Gruaja nuk kishte të drejtën e trashëgimisë as te burri, as në gjini. Në praktikë, më të shumtën e rasteve, nuk e ka as sot. Vëllezërit ua mohojnë edhe sot motrave të veta të drejtën e trashëgimisë”, shtoi Krasniqi.
“Nëse ankohen, ato leçiten, ndërsa në gjykaka lënda u zvarritet me vite. Duke qenë pa pronë dhe pa mbrojtje efektive ligjore, gruaja është e diskriminuar dhe e ekspozuar më lehtë edhe formave mizore të dhunës fizike. Si shoqëri e re me jetë në liri, ne duhet të korrigjojnë trashëgiminë e dhimbshme edhe në këtë fushë, e jo të vazhdojmë me taktikat johumane të Kanunit, i cili edhe ashtu mbulonte një kohë e një realitet të shkuar komunitar”.
Ai shprehet se si hap të parë “duhet ta kuptojmë se Kanuni në këtë fushë ka qenë më i fortë se sa ndikimi i Krishterimit dhe sidomos Islamit, që e kanë postulat drejtësinë, dashurinë dhe mëshirën”.
“Kanuni ende është rezistent, jo vetëm ndaj tyre, po edhe ndaj botëkuptimit liberal e edhe ndaj shtetit ligjor. Pra, pse praktika kanunore po mbahet e fortë në raport me mesazhet e besimeve fetare monoteiste, me botëkutimin liberal dhe me shtetin ligjor? Madje edhe ndër jo pak bashkatdhetarë, që jetojnë në shoqëri të zhvilluara liberale? Nga këtu duhet të fillojë reflektimi, o njerëz!”, përfundoi Krasniqi.
Sipas raportimeve të mediave lidhur me rastin tragjik në Gjermani, dorasi e ka therur viktimën në prani të motrës së saj.
Më parë ata kanë qenë të martuar dhe së bashku i kanë tre fëmijë. Për shkak të mosmarrëveshjeve, ata janë ndarë dhe si rrjedhojë nuk kanë qenë duke bashkëjetuar.
Andaj, gjykata ua ka caktuar kujdestarinë e përbashkët ndaj fëmijëve dhe në ditën kritike, ata është dashur të takohen për të bërë shkëmbimin e fëmijëve.
Të dielën, dorasi është sjellë para drejtësisë; mirëpo ende nuk dihet motivi i vrasjes. Hetuesit e rastit janë duke i konsideruar shkaqet që kanë mundur ta motivojnë personin në fjalë për ta vrarë ish-gruan e tij.
Tashmë 37-vjeçari ndodhet në paraburgim dhe po akuzohet për vrasje. Ndërsa trupi i pajetë i 28-vjeçares është dërguar për obduksion ku së shpejti pritet të mësohen detaje shtesë rreth rastit.











