Qershori i vitit 2021 ishte i kobshëm për familjen Gllogovci, pasi familjari i tyre humbi jetën teksa po punonte në ndërtimtari në një objekt banesor në qendër të Mitrovicës.
Esat Gllogovci humbi jetën derisa po punonte në një objekt banesor nga kompania “Afri Universal” kur u shkëput vinçi për bartjen e materialit.
Rastet e tilla të mungesës së sigurisë në punë nga kompanitë e ndërtimit shpesh janë fatale për punëtorët që punojnë aty.
Është pikërisht kjo kompani, pra “Afri Universal” që sërish po ndërton një objekt banesor afër stacionit policor në Mitrovicë, ku si pasojë e punimeve disa shtëpi përreth janë dëmtuar, pra janë çarë, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Së paku kështu kanë deklaruar banorët e shtëpive përreth.
Ky objekt 10 katësh po vazhdon të ndërtohet nga “Afri Universal” pasi ka siguruar leje për ndërtim pas refuzimit njëherë nga komuna e Mitrovicës por me rikthim në shqyrtim nga Ministria e Ambientit.
Por siguria e punimeve nuk është problemi i vetëm me këtë objekt, pasi ai po ndërtohet shumë afër stacionit policor, dhe akoma më e ndjshme përballë objektit të AKI-së në Mitrovicë, ku banorët e kësaj ndërtese do të kenë mundësinë të shohin nga ballkonet e tyre hapësirën e Inteligjencës kosovare, aty ku ndalohet edhe fotografimi nga jashtë.












