Deputetët e partive opozitare në Kuvendin e Kosovës kanë kritikuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti për mosluftim të korrupsionit brenda ekzekutivit dhe, siç thanë, për mbrojtjen e të akuzuarve për rastet korruptive.
Seanca u mbajt lidhur me publikimin e raportit të Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut, në të cilin, ndër të tjera, si problem ishte theksuar “korrupsioni serioz në Qeveri”.
Shefi i Grupit Parlamentar të subjektit më të madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri, gjatë seancës së jashtëzakonshme të enjten, që u thirr për të diskutuar për këtë raport, tha se gjetjet e raportit janë edhe një arsye më shumë që vendi të shkojë në zgjedhje sa më shpejt.
“Kërkojmë që t’i trajtojmë gjetjet dhe t’i japim rekomandime kësaj qeverie për t’i adresuar deri në kohën kur vendi do t’i drejtohet kutive të votimit dhe vendi do ta krijojë një qeveri, e cila do të jetë shpresë për qytetarët”, tha ai.