Kuvendi i Kosovës ka përmbushur vetëm 13 për qind të agjendës legjislative të vitit 2023, thuhet në raportin e publikuar sot nga Instituti Demokratik i Kosovës(KDI).
Sipas këtij raporti Kuvendi gjatë këtij gjysmë viti miratoi 44 ligje, mirëpo pjesa dërmuese e tyre ishin të bartura nga viti i kaluar.
Në bazë të gjetjeve të KDI-së del se opozita nuk ka qenë mjaft aktive gjatë këtij sesioni pranveror, pasi deputetët e tyre kryesojnë sa i përket mungesave në seanca plenare, ndërkaq nga 171 pyetje parlamentare vetëm 68 sosh janë bërë nga opozita ndaj ekzekutivit.
Kryeministri Kurti pranoi 17 pyetje kryesisht lidhur me zhvillimet në veri dhe dialogun me Serbinë, për të cilat ofroi përgjigje.
Në anën tjetër, disa nga ministrat nuk trajtuan seriozisht pyetjet e deputetëve, veçanërisht Ministri i Punëve të Brendshme dhe Ministrja e Punëve të Jashtme nuk iu përgjigjën pyetjeve, ndonëse ato u përsëritën disa herë.












