Organizata jo-qeveritare QIKA ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për mbështetjen e ofruar ndaj xhudistit Akil Gjakova. Kjo, pasi që ai është nën hetime për dhunë në familje.
“Kryeministri Kurti nga Parisi glorifikoi shpirtin luftarak të Akil Gjakovës, derisa në Kosovë i njëjti është nën hetime për dhunë në familje dhe gjykata i ka vendosur masë ndalese që t’i mos afrohet bashkëshortes në distancë prej 50 metrash për periudhë kohore një vjeçare”, thuhet në komunikatën e tyre.
“Amnistia e vazhdueshme e kryeministrit për Gjakovën inkurajon abuzuesit e grave dhe përjetëson kulturën ku kryerësit apo të denoncuarit për vepra penale gjejnë strehë dhe mbështetje nga personat publik, ndërkohë që viktimat mbesin në margjina dhe të cenuara. Kjo qasje dërgon një mesazh të rrezikshëm se dhuna ndaj grave mund të minimizohet apo edhe të justifikohet, nëse kryesi i veprës ka arritje sportive apo të tjera”.











