Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka diskualifikuar kompaninë Grand Construction nga procedurat e prokurimit.
OSHP konstatoi se kompania ka dorëzuar dokumente me përmbajtje të rreme ose të falsifikuara në një aktivitet të prokurimit të Komunës së Mitrovicës së Jugut.
Rasti lidhet me tenderin “Asfaltimi i rrugëve në Bajgorë, Rashan, Tërsten, Kutllovë dhe Vilahi – Komuna Mitrovicë e Jugut në bashkëfinancim me MMPHI”.
Sipas vendimit, kërkesa e komunës është aprovuar dhe Grand Construction diskualifikohet nga pjesëmarrja në prokurimin publik për periudhën 27 korrik 2026 deri më 26 janar 2027.
Në arsyetimin e kërkesës, Komuna e Mitrovicës së Jugut ka pretenduar se kompania kishte dorëzuar dokumente të rreme lidhur me një marrëveshje për shfrytëzimin e pajisjeve.
“Autoriteti kontraktues pretendon se OE Grand Construction… ka vepruar në kundërshtim me nenin 99 të LPP-së, me arsyetimin se ka dorëzuar dokumente/dëshmi me përmbajtje të rreme ose të falsifikuara”, thuhet në vendim.
Komuna kishte sqaruar se gjatë vlerësimit të ofertave kishte kërkuar verifikim nga kompania Lika Trade, e cila rezultonte si palë në marrëveshjen për shfrytëzimin e pajisjeve.
Sipas përgjigjes së Lika Trade, bashkëpunimi me Grand Construction kishte qenë vetëm për një pajisje.
“Kompania jonë ka pasur kërkesë për bashkëpunim me OE Grand Construction dhe pas shqyrtimit të kërkesës kemi bërë marrëveshje vetëm për pajisjen Finisher me rrota 19 tonë”.
Nga ana tjetër, Grand Construction i ka kundërshtuar pretendimet, duke kërkuar që kërkesa e komunës të refuzohej.
“Marrëveshja e dorëzuar ndërmjet Lika Trade dhe Grand Construction SH.P.K. është dokument valid, real dhe juridikisht i vlefshëm. Deri më tani nuk ekziston asnjë vendim apo provë nga organet kompetente që vërteton pretendimet e ngritura nga AK”, ka deklaruar kompania në përgjigjen e saj.
Megjithatë, Paneli Shqyrtues vlerësoi se Grand Construction nuk arriti t’i kundërshtojë provat e paraqitura nga autoriteti kontraktues.
Në vendim thuhet se kompania “nuk ka ofruar asnjë argument lidhur me deklaratën e OE Lika Trade” dhe nuk ka arritur të shpjegojë pse në marrëveshjen e dorëzuar ishin shtuar pajisje të tjera.
Pronari i Grand Construction probleme me drejtësinë
Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), Grand Construction figuron me pronar Diamant Murselin.
Murseli është i njohur për përballjen me ligjin.
Ai, së bashku me Suad Çmegën dhe Agim Dedajn, ishte akuzuar për veprën penale “Falsifikimi i dokumentit”.














