Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, iu është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për sqarim të aktgjykimit lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke lënë të nënkuptohet se aktgjykimi i fundit krijon amulli se çfarë ndodh pas 30 ditësh moskonstituimi.
Osmani në një konferencë për media ka thënë se kërkesa është që të dihen pasojat juridike të moskonstituimit të Kuvendit dhe se si ushtrohen kompetencat e institucioneve.
“Dua t’ju njoftoj që sot në përmbushje të përgjegjësisë sime kushtetuese për të garantuar funksionimin demokratik të institucioneve të vendit, kam paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës për të shqyrtuar konfliktin e kompetencave kushtetuese nga mungesa e konstituimit të Kuvendit të Republikës”, deklaron Osmani.
“Duke qenë se çdo afat i detyrueshëm kushtetues se çdo moszbatim i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese duhet të ketë edhe pasoja juridike, por ato nuk janë sqaruar në aktgjykimin paraprak, kërkesa jonë sot është kërkesë për qartësimin e pasojave juridike të moskonstituimin e Kuvendit brenda 30 ditësh”, ka thënë tutje ajo.
Osmani po ashtu ka thënë se ka bërë kërkesë për masë të përkohshme, në mënyrë që të mos bllokohen institucionet.