Deklarata e presidentit francez, Emmanuel Macron, se mund të shqyrtohet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, ka bërë që ndaj tij të reagojë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ajo ka thënë se shtetet evropiane nuk duhet t’i ndëshkojnë qytetarët e Kosovës, vetëm pse nuk iu pëlqejnë politikanët apo veprimet e tyre.
Presidentja ka shtuar se liberalizimi i vizave është një padrejtësi që i është bërë popullit të Kosovës, si më pro evropiani.
Lidhur me këtë, analistët kanë dhënë mendimet e tyre për Gazeta Blic.
Analisti politik, Halil Matoshi, thotë se presidentja nuk i përmbajtur asnjëherë parimit kontroll dhe balancë të pushteteve, derisa ka kërcënuar Francën e BE-në përmes Macronit.
“Presidentja asnjëherë nuk i është përmbajtur parimit kontroll & balancë të pushteteve, madje as nuk është sjellë si garante e kushtetutshmërisë dhe unitetit të popullit. Ajo ka kërcënuar Francën dhe BE-në, përmes Presidentit Macron, madje duke e paragjykuar se Kurti nuk do t’i zbatojë marrëveshjet, së këndejmi Kosovës mund t’i bllokohet sërish liberalizimi i vizave!? Ajo ka shfryrë vrer ideologjik kundër një vendi mik, (Franca ishte shteti i dytë pas ShBA-së me goditje ajrore kundër forcave serbe të sigurisë, më 1999)”, vlerëson ai për Gazeta Blic.
Sipas Matoshit, presidentja në këtë mënyrë ka cenuar sigurinë e vendit dhe ka shkelur interesat e shtetit dhe se sanksionet nuk ndahen në kundër lidhershipit dhe kundër popujve.
“Presidentja me këtë prejudikim ka cenuar sigurinë e vendit dhe ka shkelur interesat shtetërore, kur dihet se dialogu me Serbinë është interes imediat shtetëror i Kosovës. Sanksionet kurrë në historinë e shteteve nuk mund të ndahen në aso kundër lidershipit dhe kudër popujve. Popujt janë përgjegjës gjithmonë për liderët që zgjedhin vullnetshëm”, deklaron analisti Halil Matoshi.
Ndërsa, analisti politik Gazmir Raci, thotë për Gazeta Blic se Osmani e ka thënë një të vërtetë dhe se Kosova pret e fundit liberalizimin e vizave, derisa na janë shtuar çdoherë kërkesa të reja.
“Presidentja e Kosovës e ka thënë një të vërtetë për të cilën të gjithë ne sot flasim. Ne jemi të fundit që po presim liberalizimin e vizave edhe pse ka vite që i kemi plotësuar kriteret profesionale të Komisionit Evropian, fatkeqësisht neve na janë shtuar kritere shtesë në bazë të përvojës që BE-ja ka pasur me shtetet paraprakisht që kanë marrë liberalizimin e vizave”, thekson ai.
Sipas Racit, jemi shteti më pro evropian në Ballkan dhe vazhdimisht kemi bërë veprime që bëjnë të meritojmë liberalizimin e vizave shumë vite më parë.
“Ne jemi shteti më pro evropian në Ballkan, ne kemi dalë të dërmuar nga lufta e gjenocidi serb, ne ndërtuam shtet demokratik me liri të shprehjes e mendimit dhe në krahasim me të tjerë që kanë prej kohësh liberalizim, ne jemi shumë përpara sa i përket demokracisë. Ne i vendosëm sanksione Rusisë, hapëm dyert ndaj afganëve, hapëm dyert ndaj ukrainasve dhe ne nuk kemi alternativë të dytë siç ka Serbia dhe të tjerët. Ne jemi në dialog që nga viti 2011 dhe se Serbia historikisht në këtë dialog ka qenë pala më destruktive dhe në fund Serbia e gëzon lirinë e lëvizjes në zonën Shengen, kurse neve ende na flasin për kërkesa shtesë. Andaj, qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizimin e vizave që disa vite”, deklaron analisti Gazmir Raci.
Ndryshe, Gjermania sot ka thënë se liberalizimi i vizave do të ndodhë me 1 janar, ashtu siç është vendosur që më parë./Gazeta Blic/












