
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është pritur nga presidenti i Tunizisë në hapje të Samitit të Frankofonisë.
Osmani ka bërë të ditur se gjatë dy ditëve në samit do të diskutojnë për vlerat e përbashkëta, diversitetin kulturor e gjuhësor si dhe promovimin e lirive e të drejtave njerëzore, njofton Klankosova.tv.
“Sot, në hapje të punimeve të Samitit të Frankofonisë, i cili mbledh krerët e shteve anëtare, u mirëprita nga Presidenti i Tunizisë, të cilin e falënderova për mikpritjen. Gjatë dy ditëve, samiti do të diskutojë për vlerat e përbashkëta, diversitetin kulturor e gjuhësor dhe promovimin e lirive e të drejtave njerëzore” ka shkruar Osmani në Facebook.
Samiti i Frankofonisë do të mbledhë krerët e shteteve anëtare dhe anëtarëve të asociuar të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë për të diskutuar mbi sfidat e përbashkëta politike dhe ekonomike, forcimin e bashkëpunimit frankofon, avancimin e të drejtave të njeriut, arsimit, kulturës dhe demokracisë.
Kosova është anëtare e asociuar e Organizatës së Frankofonisë nga viti 2018.











