Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim, deputetin e Parlamentit të Ukrainës dhe njëherësh anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Oleksiy Goncharenko, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.
Në komunikatën për medie, bëhet e ditur se në takim me deputetin ukrainas, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova që prej fillimit të agresionit rus është në krah të Ukrainës dhe se e ka mbështetur atë në mënyra të ndryshme, si dhe i ka bashkërenduar veprimet politike me aleatët tanë evropian dhe amerikan.
Në komunikatë shkruan se presidentja ka potencuar se Kosova prej fillimit të agresionit të Rusisë është në anën e BE-së, ShBA-së dhe vendeve demokratike dhe i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë.
Sipas Presidentes Osmani Populli i Ukrainës po kalon një periudhë jashtëzakonisht sfiduese dhe të vështirë duke e përballur me agresion ushtarak dhe krime kundër njerëzim dhe populli i Kosovës e ka përjetuar një luftë të ngjashme.
“Presidentja Osmani ka theksuar se populli i Kosovës ka hapur zemrën dhe derën për të strehuarit nga Ukraina. Sipas saj, deri më tash në Kosovë kanë gjetur strehim një grup i gazetarëve të Ukrainës, teksa MAT Kosova po zhvillon trajnimin e grave ukrainase në fushën e deminimit”, thuhet në komunikatë.
“Deputeti Goncharenko e njoftoj Presidenten se në Parlamentin e Ukrainës është krijuar grupi i deputetëve “Miqtë e Kosovës”, të cilët do të shërbejnë si platformë për thellimin e bashkëpunimin parlamentar mes dy vendeve. Deputeti Goncharenko shprehu mbështetjen e tij për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe se do të angazhohet në zgjerimin e mbështetjes për Kosovën brenda Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, thuhet tutje në komunikatë.













