Shqetësime për sigurinë gjatë zgjedhjeve të 23 prillit në katër komunat veriore të Kosovës kanë shprehur njohës të çështjeve politike.
Paralajmërimin për mundësinë e përshkallëzimit, ata e dhanë një ditë pasi vendet e QUINT-it u shprehën pro mbajtjes së këtyre zgjedhjeve, edhe pa pjesëmarrjen e Listës Serbe.
Sfidë për institucionet e kanë kualifikuar njohës të çështjeve politike mbajtjen e zgjedhjeve për kryetarë në katër komunat veriore të Kosovës, pa pjesëmarrjen në proces të Listës Serbe.
Mundësinë e përshkallëzimit të situatës në këtë pjesë të banuar kryesisht me serbë, ata e ngritën një ditë pasi ambasadat e pesë vendeve të QUINT-it u shprehën pro zhvillimit të tyre më 23 prill, edhe pa këtë subjekt.
Politologu Nexhmedin Spahiu, është shprehur skeptik se në këtë variant, zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan, do të kalonin pa probleme.
“Kjo nuk është kurrfarë garance. Kjo është vetëm një përkrahje politike e Kosovës dhe një shuplakë presidentit, Vuçiq. Unë jam goxha skeptik që ato nuk do të mund të mbahen pa probleme të mëdha të sigurisë, pa kërcënime, shantazhe ndaj komisionarëve vëzhguesve dhe sidomos ndaj atyre që marrin pjesë në zgjedhje”, ka thënë Spahiu.
I të njëjtit qëndrim u shpreh edhe njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri. Ai ka thënë se tensionet mund të krijohen, pasi zhvillimi i zgjedhjeve pa Listën Serbe mund të shihet si anashkalim i saj dhe përpjekje për të krijuar një klasë të re politike.
“Lista Serbe dhe veriu në përgjithësi është një kontekst shumë specifik në të cilin Kosova nuk ka shumë ndikim por natyrisht bashkësia ndërkombëtare ka ndikim. Do të duhej që në mënyrë indirekte, me presionet e Bashkësisë ndërkombëtare, ndaj Beogradit pastaj me presionet e Beogradit ndaj politikanëve të veriut që të rregullohet kjo situatë”, ka thënë ai.
Por Muhaxhiri e Spahiu kanë qëndrime të kundërta sa i përket legjitimitetit dhe suksesit të procesit zgjedhor.
“Është goxha njëfarë sfide e sigurisë dhe tash nuk e di nëse Policia e Kosovës i ka ato kapacitete apo jo. Nëse kryhen, sado që të jetë numri i vogël i pjesëmarrësve në zgjedhje, kjo do të ishte goxha një sukses i madh”, ka thënë Spahiu.
“Pa pjesëmarrjen e Listës Serbe, faktikisht dhe fatkeqësisht nuk do të mund të ketë legjitimitet të zgjedhjeve në atë pjesë sepse ky subjekt politik përbën shumicën absolute dhe nuk do të mund të konsiderohen valide zgjedhjet nëse dikush me një numër simbolik të votave do t’i fitojë zgjedhjet në veri”, është shprehur Muhaxhiri.
Komisioni Qendror Zgjedhor të mërkurën e ka mbyllur afatin e aplikimit për certifikim të partive politike dhe kandidatëve, në të cilin nuk ka aplikuar Lista Serbe.
Mbajtja e zgjedhjeve më 23 prill është shtyrë që nga dhjetori, shkaku i tensioneve të krijuara në veri, pasi katër kryetarët e komunave me shumicë serbe dhënë dorëheqje në pakënaqësi ndaj vendimit të Qeverisë për targat ilegale.












