Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, tha sot se vendi i tij është gati të presë bisedimet midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për të kërkuar uljen e tensioneve dhe përfundimin e luftës së vazhdueshme në Lindjen e Mesme.
“Me kusht që SHBA-të dhe Irani të pajtohen, Pakistani është i gatshëm dhe i nderuar të jetë vendi pritës për të lehtësuar bisedimet kuptimplote dhe përfundimtare për një zgjidhje gjithëpërfshirëse të konfliktit të vazhdueshëm”, tha Sharif në një postim në X.
Ai shtoi se Pakistani “mbështet plotësisht përpjekjet e vazhdueshme për të ndjekur dialogun” në interes të stabilitetit rajonal dhe global.
Oferta e Islamabadit vjen mes raporteve se një takim midis zyrtarëve amerikanë dhe iranianë mund të mbahet në Pakistan këtë javë.
Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, i dërguari special për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner, pritet të përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara.
Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Ghalibaf, thuhet se do të kryesojë delegacionin nga vendi i tij, sipas raporteve dhe zyrtarëve pakistanezë.
Zhvillimet vijnë një ditë pasi Trump tha se kishte shtyrë sulmet e kërcënuara ndaj objekteve energjitike iraniane për shkak të “bisedimeve produktive” me Iranin.
”Shefi ushtarak i Pakistanit, Gjenerali Asim Munir, foli me Trump të dielën”, konfirmoi sot Shtëpia e Bardhë.
Ndërsa Sharif foli me presidentin e Iranit, Masoud Pezeshkian, të hënën për të përcjellë një mesazh nga Trump.













