Ditën e djeshme për herë të gjashtë, ka dështuar të konstituohet Kuvendi i Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje dhe kandidatja e propozuar nga ky subjekt politik, Albulena Haxhiu, s’ka arritur të marrë votat e nevojshme për Kryeparlamentare.
Lidhur me këtë çështje ish deputetja Shqipe Pantina, në një prononcim për GazetaBlic, thotë se zgjidhja është e thjeshtë, por kërkon vullnet politik, veçanërisht nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë që ka dalë nga zgjedhjet, duhet të ulet në tryezë me subjektet e tjera parlamentare për të gjetur një kandidat për kryetar të Kuvendit që është i pranueshem për të gjithë.
“Nëse ekziston vullneti politik, zgjidhja është e lehtë: LVV, si partia e parë e dalë nga zgjedhjet, duhet të ulet me partitë e tjera për të gjetur një konsensus dhe të propozojë një kandidat që është i pranueshëm edhe për to”, tha ajo.
Pantina thekson se nëse kjo nuk ndodh dhe mungon vullneti nga ana LVV-së, atëherë ekziston mundësia që partitë tjera t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar nëse ato kanë të drejtë të propozojnë një kandidat vetë.
“Në rast se mungon vullneti nga ana e LVV-së, partitë e tjera parlamentare mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar nëse, në mungesë të vullnetit të partisë së parë, ato mund të propozojnë vetë kandidatin për kryetar të Kuvendit, ngjashëm me rastin e formimit të qeverisë, ku pas dështimit të partisë së parë kjo e drejtë i kalon subjekteve të tjera”, përfundoi Pantina