
Analisti serb, Branislav Krstic thotë se pavarësisht sulmit që ndodhi në Banjskë nuk do të anulohen zotimet që Qeveria e Kosovës i ka marrë në marrëveshjet e dakorduara.
Krstic për GazetaBlic thotë se nuk duhet të kushtëzohemi për diçka që e kemi marrë si detyrim.
“Ofensiva diplomatike që fitoi qeveria në Prishtinë me tragjedinë e Banjskës nuk i anulon zotimet e marra nga Prishtina zyrtare.Ne e dimë se cilat janë detyrimet tona, e dimë se cilat janë kriteret dhe nuk duhet të lejojmë që të kushtëzohemi për diçka që e kemi marrë si detyrim”, tha Krstic.
Krstic tutje paralajmëroi se edhe Prishtina, edhe Beogradi do të dënohen në mënyrë drastike nëse nuk zbatojnë marrëveshjet e dakorduara.
Sipas tij, një mesazh i tillë shkoi edhe gjatë ditës së djeshme nga pesëshja diplomatike në kabinetin e kryeministrit Kurti.
“Kësaj radhe, grupi i menaxhimit të konfliktit do të dënojë në mënyrë drastike edhe Beogradin edhe Prishtinën nëse nuk përmbushin pjesën e tyre të obligimeve të marra dhe mendoj se kjo është përcjellë edhe në kabinetin e kryeministrit Kurti”, tha Krstic për GazetaBlic.
Kujtojmë se, pesë emisarët perëndimorë dje kanë zhvilluar vizita në Prishtinë dhe Beograd, në përpjekje për të rinisur procesin e dialogut që të zbatohen marrëveshjet e nënshkruara.Lajcak dhe Escobar të shoqëruar nga këshilltarët e Scholz, Macron dhe Melonit dje kanë dorëzuar një “plan të ri” për atë se si do të vazhdohet përpara drejt normalizimit, kjo pasi që sulmi i 24 shtatorit në Banjskë ka ndryshuar shumë gjëra.
Për këtë plan të ri, Lajçak paralajmëruar se do të ketë biseda intensive me kryeministrin Albin Kurti dhe me presidentin serb, Aleksander Vucic.Se do të ketë biseda intensive në vazhdim e ka konfirmuar edhe Zyra për Media e Kryeministrit Albin Kurti të cilët në një komunikatë për media kanë konfirmuar dorëzimin e “planit të ri” dhe kanë shtuar se “diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht”.
“Në takim u bisedua për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht zbatimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit të tij (Ohër, 18 mars). Kryeministri theksoi që është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re. Të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë Kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij. Diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht”, thuhet në njoftimin e ZKM-së. /GazetaBlic/











